Buçiste kanga n’çdo cep t’ stadiumit, t’gjith bashk’ ishim ngrit n’këmbë, me duart lart t’bame grusht, t’u simbolizu fitoren pas nji shfaqjeje spektakolare që kishin dhuru vajzat e Vllaznisë, ekipi gëzonte i kapun përdore duke na përshëndet me buzëqeshjet që reflektonin krenari, e prap, diçka mungonte…
Mungonte nji pjes’ shum’ e rëndësishme e sportit, tifozat. Tribuna e VIP-it këndonte dhe bërtiste, ndërsa tribunat përball si shkretëtin’, pa nji frym t’vetme. Ku jan shkodrant që mbushin kafenetë çdo ditë? Pse nuk mbushin edhe stadiumin po ashtu, pse nuk e mbështesin ekipin e tyne, aq ma tepër kur asht edhe falas dhe lehtsisht e aksesushme për t’ gjith’?
Jam e sigurt për diçka: qënëse hyrja për nji ndeshje t’ ekipit t’ meshkujve do ishte e lirë, shum’ ma tepër njerëz do nxitonin t’ zinin vendet në stadium, hyrjet do zhurmonin. Madje edhe kur hyrja asht me pagesë, përsëri kanga e tifozave dëgjohet edhe jasht’ stadiumit.
Nuk e kuptoj pse bëhet diferenca kaq dukshëm, sidomos kur të dyja skuadrat luajn’ për kategorin’ superiore. Aq ma tepër, vajzat kanë 10 vite rrjesht që sjellin në shtëpi titullin kampion, titull që në Vllaznin’ e meshkujve e dëshirojm’ që prej vitit 2001. Më vjen keq kur e mendoj që njerëzit nuk i dhurojnë vëmendjen dhe vlerësimin e duhur nji ekipi triumfues e me kaq vlera sa Vllaznia e femrave.
Mendoj, (dhe jam e sigurt që ky nuk asht vetëm mendimi im, po dhe i shum’ tifozëve t’ tjerë, edhe i shum’ vajzave të cilat ndihen t’ përfaqësuara denjësisht nga lojtaret me shum’ vullnet t’ Vllaznisë), se ekipi i vajzave tona, duhet mbështetur po aq fort sa mbështetet edhe ai i meshkujve…
Ashtu si shkojm’ e bërtasim e këndojm’ për djemt’ e Vllaznis’, ashtu t’shkojm’ së bashku edhe për vajzat, e mos t’bëjm’ diferencime të palezetshme, që n’ fund t’fundit, me t’drejtë, prekin edhe vajzat kuq e blu. Stadiumi duhet t’ mbushet plot edhe për luaneshat kuq e blu, për ato që vazhdojnë të na krenojn’ e t’shkruajn’ për t’10-tin vit rradhazi emrin e Vllaznis’ në historinë e kampionëve t’Shqipris’…