Vllaznia do të luajë ndeshjen e kthimit me Partizanin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, teksa në këtë takim ekipi shkodran ka nevojë të madhe për mbështetjen e tifozëve. Tifozët shkodrane kanë qenë historikisht mbështetësit e flaktë të skuadrës së tyre të zemrës.

Në fakt, Vllaznia ka tifozët më të zjarrtë, por edhe specialistët më të shumtë. Me një fitore, skuadrën e bëjnë për titull kampion.

Me një humbje nisin kritikat, sharjet ndaj futbollistëve dhe ata marrin rolin e trajnerit. Megjithatë, skuadra ka nevojë për tifozët pikërisht në momente të tilla, pas disa humbjesh.

Vllaznia ka sot, nesër dhe gjithmonë nevojë për tifozët, për mbështetjen e tyre në aspektin sportiv. Personalisht, kam bindjen se ndaj Partizanit nuk do t’i mungojë siç nuk i ka munguar, as në momentet më të vështira të mbi 100 viteve jetë, prandaj një thirrje të sinqertë për të gjithë ju: Vetëm mbështetje ndaj skuadrës…
Nga Maringlen ZHIVANI