Nëse i bëjmë një analizë këtij sezoni të Vllaznisë, mund të gjejmë probleme pa fund, duke nisur që nga merkatoja, menaxhimi brenda grupit dhe deri te përgjegjësitë individuale të secilit. Gjithsesi, ne do të ndalemi tek efekti i futbollistëve, që vijnë nga stoli dhe në këtë aspekt, Vllaznia vuan.

Alternativat për trajnerin Plori janë aq të pakta, sa që një tifoz i vëmendshëm mund t’i parashikojë lehtë zëvendësimet gjatë një ndeshjeje. Nëse ekipi është në disavantazh, Plori ka opsion vetëm Çobën, ndërkohë që i vetmi repart ku ka më shumë mundësi zgjedhjeje, është mesfusha. Heriç dhe Mustedanagiç kanë qenë lojtarët, që janë përzgjedhur të hyjnë shpesh nga stoli.

Në mbrojtje, Plori tradicionalisht nuk ndryshon shumë gjatë ndeshjeve, por nëse vendos ta bëjë, i vetmi opsion i sigurt ndoshta është Fangaj. Gjithsesi, të kthehemi tek efektiviteti. Nëse i bëjmë një kategorizim lojtarëve, mund t’i ndajmë në ata të stolit dhe titullarët dhe mund të themi lirisht se asnjë lojtar rezervë, nuk e ka ndryshuar rrjedhën e ndeshjes në këtë sezon, me përjashtim të një rasti të vetëm, golit të Da Silvës në fitoren ndaj Laçit, 1-0 në Shkodër.

Katër lojtarë të Vllaznisë kanë gjetur rrugën e rrjetës, kur e kanë nisur ndeshjen nga stoli, teksa tre prej tyre janë titullarë thuajse në çdo ndeshje, por rrethanat i kanë shtyrë trajnerët t’i aktivizojnë nga stoli, ndërsa njëri nga ata, Kaina, tashmë është huazuar. I pari, që shënoi duke ardhur nga stoli, është pikërisht sulmuesi brazilian në fitoren 3-5 ndaj Laçit në fillim të sezonit. Goli tjetër që erdhi nga stoli, është i mesfushorit boshnjak, Zinedin Mustedanagiç, në fitoren 6-3 ndaj Dinamos në Shkodër.

Pas golit të tij, duke ardhur nga stoli, shënoi Victor Da Silva, teksa i dha fitoren ndaj Laçit kuqebluve në Shkodër, në atë fitore me shifrat 1-0.

Ante Aralica, një tjetër lojtar stabël në formacion ka mundur të shënojë një gol, i ardhur nga stoli në ndeshjen ndaj Skënderbeut. Të gjitha këto gola nuk kanë ndikuar në rrjedhën e ndeshjeve, me përjashtim të golit të Da Silvës ndaj Laçit.

Të gjitha zëvendësimet e bëra nga Elvis Plori, por edhe në të shkuarën nga Thomas Brdariç, nuk e kanë ndihmuar Vllazninë të kthejë ndeshjet apo të marrin një fitore.

Ky është një tregues i qartë se pavarësisht emrave, Vllaznia është një nga skuadrat me stolin më të vakët dhe ky është një nga shkaqet, përse kuqeblutë nuk kanë kthyer në anën e tyre një numër të madh ndeshjesh. Nëse drejtuesve u duhet të gjejnë lojtarë për të ndërtuar një formacion ideal, duhet të menaxhojnë akoma më mirë merkaton, për të pasur më shumë lojtarë efektivë në pankinë.
Maringlen ZHIVANI