Vllaznia është duke vijuar me përgatitjet në kuadër të ndeshjes, që do të kenë me Partizanin të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Përballë kanë skuadrën, me të cilën në këtë kampionat kanë një fitore dhe dy barazime, por nga ana tjetër, sfidojnë një kundërshtar, që ndoshta nuk ka lidhje me ndeshjet e kaluara.
Të kuqtë janë një ekip i rrezikshëm, prandaj për trajnerin Plori duhet një tjetër sforco për ta kaluar, për më tepër që në këtë ndeshje, Vllaznia nuk vjen në formën e vet më të mirë, me vetëm një fitore në tetë ndeshjet e fundit.
Kur kanë mbetur gjashtë javë deri nga mbyllja e kampionatit, fatet e sezonit janë të gjitha në dorën e shkodranëve, të cilët kanë një distancë prej katër pikësh, nga vendi i tretë që të dërgon në Kupat e Europës.
Katër pikë nuk janë një distancë e madhe, për më tepër që kanë për të luajtur një ndeshje direkte, por për më tepër nga ana tjetër në javët e fundit, ka shumë skuadra, që i kanë jetike pikët dhe do t’u duhet të djersijnë shumë për të marrë maksimumin.
Për këtë arsye, në Shkodër janë me laps në dorë duke bërë llogaritë për të kapur Europën, ku u duhen disa pikë për ta siguruar atë dhe duke mos ua lënë gjithçka javëve të fundit ose edhe vetëm kompeticionit të Kupës.
Të paktën, me rivalët më të lehtë në letër, shkodranët duan pikët maksimale, në mënyrë që në ndeshjet direkte të shkojnë edhe me luksin për të mos humbur.
Gjithsesi, fillimisht forcat janë përqendruar te kundërshtari i rradhës, Partizani. Pas tyre, Vllaznia do të ketë dy përballje të lehta në letër, me Skënderbeun dhe Dinamon. Ndërkohë që, larg ekipit vazhdon të jetë sulmuesi brazilian Victor Da Silva.
Maringlen ZHIVANI