“Panorama Sport” ka sjell gjerat me pikante nga ndeshja mes Vllaznisë dhe Kastriotit, e cila u luajt në “Loro Boriçi”:
-Festa e një nate para ndeshjes në kampin shkodran, që ishte për ditëlindjen e trajnerit Brdariç, pas barazimit të mbrëmshëm është komentuar gjatë në rrjetet sociale. Një foto e Brdariçit me çifteli, e dhuruar për 46-vjetorin e tij, u komentua: “Në këtë takim ishte Brdariç me leje krijimtarie, prandaj nuk fituam”.
-Shiu i vazhdueshëm nuk i pengon ata pak tifozë të grupimit “Power 12” që të mbështesin ekipin e tyre nga një cep i stadiumit.
-Një maskot me uniformën e skuadrës ka qenë në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”, madje është bërë pjesë edhe e fotografisë së ekipit para ndeshjes. Maskota ka dalë në fushë bashkë me lojtarët e janë përkrahur edhe nga disa tifozë të tjerë me bori dhe brohoritje.
-Brdariç përdori çadrën për t’u mbrojtur nga shiu në fillim, por më vonë nuk e mbajti, pasi qe shumë i angazhuar në kapjen e topave në anësore për të përshpejtuar manovrën e skuadrës së tij. Madje, në disa momente, dorën e lagur e fshinte te pantallonat. Ndërsa trajneri Ndreu ka përdorur një mushama për t’u mbrojtur prej shiut.
-Një shi i rrëmbyer ka filluar në minutat e para të takimit duket vështirësuar jo pak edhe terrenin.
-25 minutat e para u luajtën më shumë në gjysmëfushën e Kastriotit. Ndaj portieri Zogoviç është detyruar të bëjë nxehmje te zona e 16 metrave, pasi nuk ishte i angazhuar sa duhet në lojë.
-Shumë impulsiv drejtori sportiv i ekipit të Kastriotit, që në çdo moment protestonte ndaj gjyqtarëve të takimit.
-Trajneri Brdariç përgjatë gjithë pjesës së parë të takimit ka kërkuar që të tijtë të shpejtojnë në shumë rivënie anësore. Në disa momente i ka ndihmuar edhe vetë duke bërë kapësin e topave.
-Vonon afro 2 minuta për të dalë në fushën e lojës në startin e pjesës së dytë skuadra mike. -Shumë replika në minutën e 59-të me gjyqtarin Meta i cili nuk lejon që loja të vazhdojë në një sulm të shkodranëve nga e djathta e sulmit.
-Nuk mungon përqafimi mes trajnerit Ndreu dhe Krujës në momentin kur ky i fundit po futej në fushën e lojës.
-Minuta 74. Gjyqtari Meta akordon goditje këndi për Vllazninë, por disa lojtarë krutanë i “turren” duke protestuar se topin e kishte larguar braziliani i vendësve. Meta ngre duart lart duke kërkuar ndjesë dhe akordon rivënie fundore për miqtë.
-Shumë zhurmë dhe sharje në fund të takimit ndaj lojtarëve të Kastriotit për mënyrën se si e interpretuan lojën.
-Festë në dhomën e zhveshjes të ekipit të Kastriotit, ku kanë festuar pikën e marrë ndaj Vllaznisë.
-Lojtarët kuqeblu largohen të heshtur nga stadiumi duke mos arritur që për 46-vjetorin e datëlindjes së trajnerit të tyre t’i dhuronin një fitore, ashtu siç kishin deklaruar vetë futbollistët shkodranë.







