✍️ Shkruar nga Namik MEHMETI

Duke ndjekur komentet që morën zjarr pas fitores së Vllaznisë ndaj Dinamos 1-0, ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte intervista e ish-dinamovitit të viteve ’60, Shyqyri Ballgjini, i cili, i mësuar me edukatën e një klubi që përfaqësonte Ministrinë e Brendshme, lëshoi disa “urdhra arresti”:

“Martini të përjashtohet nga stoli i Vllaznisë.”
“Sjellja e tij është shfaqje e huaj e sportit borgjez.”
“As serbët nuk e bëjnë një gjest si Martini.”

Siç shihet, dinamoviti i shkollës së Ministrisë së Brendshme gjithçka e lidh me politikën. Po të ishte gjallë Fecor Shehu dhe ta dëgjonte refrenin e Ballgjinit, do t’i thoshte: “Jepi, babë, se kështu e don armiku i klasës!”

Më çuditi krahasimi që bëri me serbët.

A ke dëgjuar ndonjëherë për një emër të futbollit europian si trajneri José Mourinho, i cili në fillim të viteve 2000 i dha Interit në Itali tre trofe – titullin kampion, Kupën e Kampionëve dhe Kupën e Italisë?

I ke parë gjestet e tij? E ke dëgjuar fjalorin e tij? Apo atë gjestin me duart si pranga, sikur po arrestohej?
Kundërshtarët e Interit u ndjenë të ofenduar nga sjellja dhe fjalori i tij, por askush nuk iu drejtua presidentit Moratti që ta përjashtonte nga stoli i Interit.

Shoku Ballgjini, tani edhe Shqipëria luan në Europë dhe ka parë, madje është përballur me shumë raste të ngjashme si ai i Martinit.

Sa i përket ndeshjes që fitoi Vllaznia me një gol, ju dhe trajneri Daja mburreni se i keni dhënë “leksion” Vllaznisë si luhet futbolli.

Edhe unë them se Dinamo dominoi pjesën e dytë, por fituesi nuk gjykohet. Vllaznia luajti për fitore, jo për spektakël. Ishin tri pikë ari për të krijuar distancë ndaj Dinamos.

Të thuash se Dinamo i mësoi Vllaznisë si luhet futbolli, duhet të kesh respekt të pamoshueshëm për historinë. Sepse, realisht, aty ku kanë luajtur futbollistët shkodranë, janë ata që u kanë mësuar të tjerëve si luhet futbolli.

Te Dinamo e jotja këtë e kanë bërë emra legjendarë si Xh. Shaqiri, Q. Halluni, M. Bushati, Q. Cungu, M. Zhega;
te Partizani – të tjerë legjendarë si L. Borici, M. Dibra, L. Shllaku, K. Kraja, S. Deda, S. Bizi, R. Rragami.
Ndjesë për mos përmendjen e të gjithë emrave, pasi në “Dosier të veçantë” e kam trajtuar gjerësisht këtë temë.

I ke pasur kundërshtarë shkodranët me skuadrat e gjithë Shqipërisë – nga Durrësi në Gjirokastër, deri në Skrapar, ku Paulin Ndoja la emër.

Sërish për lojën: kujtoj një shprehje epike të trajnerit të njohur elbasanas të basketbollit për femra, Aljedin Shabanaj, të cilin e kritikonim: “Sot nuk luajtët mirë si pretendente për titull.”

Ai përgjigjej me qetësi:

“Pavarësisht nga loja, fituam tre pikë.”

Superioria do të rihapë sërish ballafaqimet e 10 skuadrave, dhe do të kemi rast të merremi edhe me arbitrat, ata që dikur i dhuronin Dinamos fitoren pa hyrë në fushë.

Prandaj, shoku Ballgjini, mos u ngut të japësh deklarata politike për futbollin, se në Shkodër ka një fjalë të urtë:

“Kadal beg, se ka hendek.”
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”