Barazimi pa gola i arritur në Kukës tregoi edhe njëherë se Vllaznia e drejtuar nga trajneri maqedonas Goce Sedloski nuk po arrin që të gjejë vazhdimësinë në rezultate, situatë pak a shumë e njëjtë me kohën kur ishte Mirel Josa në krye.

Edhe pse shumë pak kohë me trajner të ri, shkodranët pas fitores 3-1 ndaj Erzenit, ku përveç golave dalloi edhe dominimi me lojë i kundërshtarit, krijoi një ide se tanimë dora e teknikut të ri do të ishte determinante. Mirëpo, ky vrull u ndal menjëherë pas takimit me Kukësin, ku Vllaznia nuk krijoi një ritëm fitoresh, madje konfirmoi se transfertat këtë sezon nuk janë aspak një pikë e fortë e kuqebluve. Shkodranët nuk arrijnë që të fitojnë në transfertë që nga muaji janar, ku ia dolën në takimin hapës të këtij viti, atë fitore me përmbysjen e shifrave ndaj Partizanit në Tiranë, ku autorë të golave ishin Jonuzi dhe Çoba.

Që prej atyre tri pikëve, kanë kaluar gjashtë ndeshje jashtë shtëpie në kampionat dhe në asnjërën prej tyre nuk është arritur një fitore. Vllaznia ka humbur përballjet me Bylisin (1-0), Erzenin (3-2), Laçin (2- 0), ndërkohë që ka barazuar me Egnatian (0-0), Teutën (1- 1) dhe Kukësin (0-0). Sa u përket fitoreve jashtë fushe në këtë sezon, kuqeblutë ia kanë dalë vetëm tri herë. Kundër Tiranës në shifrat 1-2 në fazën e parë, ndaj Kukësit në fazën e dytë në shifrat 0-1, e po ashtu kundër Partizanit 1-2 po në fazën e dytë.

Vllaznia për sa u përket pikëve të marra në transfertë ndodhet në vendin e 7-të me 17 pikë të arritura me 10 gola të shënuar dhe 15 të pësuar. Një situatë e tillë nuk mund të thuhet për përballjet në fushën e vet. Vllaznia nëse do të ishte nisur nga ndeshjet e zhvilluara në “Loro Boriçi” do të renditej skuadra e dytë pas Tiranës me 25 pikë të grumbulluara, e vetëm 3 pikë më pak se kryeqytetasit dhe me një golavarazh të 22 golave të shënuar e 11 të pësuar.

TË RINJTË – Rejan Alivoda, një nga lojtarët që së bashku me Gerald Smajlin ishin dy zbulimet e këtij sezoni, nuk duket se po gjejnë gjithë hapësirën e nevojshme me trajnerin e ri Goce Sedloski. Alivoda është preferuar në përballjen ndaj Erzenit vetëm për 11 minuta, ndërsa në takimin ndaj Kukësit tekniku maqedonas nisur nga skema që ai kërkonte dhe siç edhe e deklaroi nuk e aktivizoi për asnjë minutë të riun 19-vjeçar. Mesa duket dëmtimi i ka kushtuar jo pak Alivodës, i cili tani duhet që të bindë teknikun e ri që e meriton sërish që të jetë pjesë e formacionit të parë.

Mesa u vu re edhe në takimin ndaj Kukësit, trajneri Sedloski kërkon që të shfrytëzojë më shumë pjekurinë e lojtarëve që ka në dispozicion dhe të shikojë me kujdes te të rinjtë. Një tjetër përzgjedhje që u pa në takimin ndaj verilindorëve, ndryshe nga parëndësitë e tij ishte përzgjedhja që nga minuta e para e Arsid Krujës në të djathtë të mbrojtjes, një pozicion që për shumë takime nisur nga mungesat e shumta ishte tekniku Josa ai që ia besoi këtë rol 20-vjeçarit Gerald Smajli. Megjithatë duhet që të shikohet në ditët në vijim se kush do të jenë përzgjedhjet që do të bëj tekniku maqedonas.


SEDLOSKI, ME RREGULLA TË REJA
– Patjetër që ardhja e një trajneri të ri në një klub do të sjellë një organizim tjetër dhe kjo ka prekur edhe Vllazninë. Ardhja e Sedloskit ka sjellë shumë rregulla të reja tek ekipi dhe stafi drejtues, duke i parë ato si përmirësime që i duhen një klubi serioz për të ecur përpara. Në rregullat e reja që maqedonasi ka sjellë në ekip, prek edhe pjesën e akademisë shkodrane. Që pas ardhjes së teknikut të ri, të gjithë trajnerëve të akademisë së Vllaznisë u është komunikuar që të mos japin mendimet e tyre në media, pavarësisht pozitivitetit që ato kanë shfaqur në mbështetje të ekipit përgjatë gjithë kohës.

Mesa duket drejtuesit kërkojnë që jenë më hermetikë në të gjithë drejtimet në mënyrë që trajneri i ri të punojë i qetë dhe larg ndonjë kritike të mundshme. Ndërsa vetë Sedloski duket se ka vendosur edhe të tjera rregulla që kanë të bëjnë me stafin e tij teknik. Nga sa është vënë re ai ka kërkuar që asnjë pjesëtar i stafit të mos jetë në këmbë për t’i dhënë orientime skuadrës gjatë zhvillimit të takimit. Mesa duket 49- vjeçari ka kërkuar që të jetë vetëm ai që do të drejtojë nga stoli skuadrën gjatë ndeshjes, duket kërkuar që lojtarët të mos kenë orientime të tjera, të drejta apo të gabuara nga askush tjetër përveç tij.


OBJEKTIVI
– Vllaznia do të përballet këtë javë me Tiranën kryesuese, në ndeshjen që do të zhvillohet në Shkodër. Të gjendur në vendin e katërt dhe me pikë të barabartë me Egnatian, kuqeblutë kanë pjesëmarrjen në Kupat e Europës si objektiv kryesor. Pas Tiranës, ata do të përballen në një ndeshje direkt me Egnatian në “Loro Boriçi” dhe pak ditë më vonë do të presin sërish rrogozhinasit në shtëpi për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë.