Një sezon më parë Enur Totre erdhi te Tirana si i padëshiruar nga Shkëndija e Tetovës, por mesfushori menjëherë rilindi duke kontribuar në shpalljen kampion të bardhebluve. Rilindja me Tiranën shërbeu si një trampolinë për 25-vjeçarin nga Tetova duke siguruar një kontratë të majme me ukrainasit e Vorskla Poltavës.

I çuditshëm si vendim, kur mendon se është transferuar në një shtet të përfshirë nga lufta, por në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Totre e tregon aventurën e re një pikëpamje komplet ndryshe, që nuk ka lidhje me luftën frontale mes Rusisë dhe Ukrainës. Totre tregon së bashkë me dy shokët që ka pasur te Tirana, Taulant Seferi dhe Ardit Toli, dhe që luajnë te ukrainasit e Vorsklas, jetojnë në qytetin Uzhhorod.

Ata jetojnë në hotelin e klubit që është rreth 8 kilometra larg kufirit me Sllovakinë, ndërsa ndeshjet i zhvillojnë pranë kufirit me Poloninë. Tetovari pohon se jetesa është normale dhe aty ky është ai nuk të jepet përshtypja se vendi është në luftë. Në rrëfimin për gazetën 25-vjeçari pohoi se fillimisht familja nuk e ka pritur mirë transferimin, nisur nga fakti i luftës, por ata e mbështesin kudo.

Problem quan vetëm faktin se familja nuk mund ta ndjekë në çdo ndeshje në stadium, siç bënin kur ishte te Tirana. Ai tregon arsyet pse zgjodhi këtë aventurë, sezonin me Tiranën dhe të ardhmen e bardhebluve. Pengun e vetëm me Tiranën mund të quaj faktin se nuk kaluan të paktën një tur gjatë verës në Kupat e Europës.

A mund ta dimë pse Enur Totre zgjodhi Ukrainën, epiqendrën e botës në këtë moment, duke ditur se është një vend ku po zhvillohet luftë?

Për këtë zgjedhje mora një garanci nga menaxheri dhe drejtuesit e klubit se gjithçka do të ishte nën kontroll dhe se ndeshjet e futbolli do të luhen në një zonë afër Polonisë, shumë larg nga lufta. Për mua ishte një mundësi e mirë në shumë drejtime. Këtu niveli i futbollit është më i lartë, gjithashtu edhe aspekti financiar ishte një faktor që ndikoi në zgjedhjen time.

Si është gjendja dhe si përjetohen gjërat atje?

Situata në vendin ku unë jetoj është normale. Nuk ka asnjë problem, pasi siç e thashë edhe më lart, duket sikur s’ka luftë këtu. Në fakt, lufta zhvillohet shumë larg nga këtu.

Në fund, mund të na tregoni diçka për protokollin stërvitor që ndiqni, me kë jetoni dhe sa rrezik përbën jetesa në një vend të përfshirë nga lufta, siç është Ukraina?

Këtu jam në hotelin që ka zgjedhur klubi. Po rri me Seferin dhe Tolin, pasi jemi shokë, plus këtu me anglishten jo të gjithë lojtarët i kanë punët mirë (qesh). Stërvitja është e fortë dhe ka shumë dallim me Shqipërinë. Jetesa këtu nuk ka asnjë problem dhe po e përsëris sërish, që nuk duket sikur është një vend i përfshirë nga lufta.