Shtypi britanik shpërthen pas katastrofës evropiane të Manchester Cityt. Një stuhi e vërtetë kritike ka shpërthyer në Angli ndaj Pep Guardiolës.
Humbja e Manchester Cityt ndaj Bayer Leverkusenit me rezultat 2-0– me një formacion titullar të mbushur me rezerva – i ka dhënë “municion” të bollshëm shtypit britanik, i cili këtë herë nuk ka treguar asnjë mëshirë për trajnerin katalanas.
As trofetë e fituar, as ndikimi historik që ai ka lënë në “Etihad” nuk po mjaftojnë për ta mbrojtur: për shumicën, ajo që vlen është e tashmja – dhe e tashmja po shihet si alarmante.
Kritika të ashpra për zgjedhjet e Guardiolës
The Independent shkruan se, në ndeshjen e tij të 100-të në Ligën e Kampionëve me Manchester Cityn, Guardiola “i qëlloi vetes në këmbë”, duke marrë një rrezik të panevojshëm me një formacion tepër të dobët për një natë evropiane.
Goal.com shkon edhe më tej, duke e akuzuar teknikun katalanas se “poshtëroi garën” me zgjedhjet e tij taktike.
Media britanike në përgjithësi bie dakord për një gjë: Man City u rrëzua nga një arrogancë e vetëshkaktuar.
“Nga zhgënjim në poshtërim” – reagimet në tabloidët anglezë
Daily Mail kujtoi me ironi se eksperimente të ngjashme taktike i kushtuan shtrenjtë Man Cityt edhe sezonin e kaluar.
Mirror shkroi se Guardiola “kaloi nga zhgënjimi në poshtërim”.
The Sun u shpreh prerazi: “Fiaskoja ka vetëm një fajtor”, duke aluduar në emrin e trajnerit.
BBC, më e kujdesshme në ton, e quajti humbjen “një disfatë të vetëshkaktuar”.
Fund i ‘muajit të mjaltit’ me shtypin anglez
Atmosfera rreth Guardiolës ka ndryshuar ndjeshëm. Kritikat janë të ashpra, të drejtpërdrejta dhe tregojnë se durimi i mediave britanike me trajnerin e Man Cityt është venitur.
Për momentin, duket se “muaji i mjaltit” midis Guardiolës dhe shtypit anglez ka përfunduar – dhe presioni tani është më i madh se kurrë. /Telegrafi/















