Humbja e thellë 6-3 në “Loro Boriçi” në javën e 5-të të kampionatit u konsiderua një aksident në kampin dinamovit, por në fakt “nëndetësja” e mori krisjen pikërisht në atë ndeshje.
Deri atëherë ishte paraqitur mirë dhe nuk kishte humbur, por më pas gjithçka shkoi keq, me përjashtim të kualifikimit me penallti në Kupën e Shqipërisë. Mungesat dhe fati i keq kanë ndikuar në momente të caktuara, por kurrsesi nuk janë justifikim për rrëshqitjen në vend të 7-të.
Skuadra e trajnerit Bledi Shkëmbi pësoi 6 gola në Shkodër, duke bërë gabime të rënda në mbrojtje dhe sidomos në goditjet standarde në favor të kundërshtarit. Mungesa e mbrojtësit Sofranak dhe gabimet individuale në një ndeshje që blutë e nisën në avantazh, ishin argumentet që “mbuluan” atë disfatë, por në fakt ishte e kotë, sepse ndeshjet pasardhëse zbuluan më qartë dobësitë e bluve.
Humbja me katër gola në derbin me Tiranën në kampionat, barazimi me Egnatian dhe pastaj krizë totale, me 0 gola dhe 0 pikë në ndeshjet me Laçin 5-0, Teutën dhe Partizanin nga 1-0. Derbi i fundit me të kuqtë ishte edhe goditja e nokautit, që e shtriu në tokë Dinamon. Tashmë vjen sërish Vllaznia.
Sot mbushet një “fazë” nga disfata e Shkodrës dhe blutë ndoshta mund të gjejnë te ky kundërshtar motivimin e duhur për reagim dhe rilindje. Ndoshta, sepse me atë që kanë treguar në javët e fundit, ka pak vend për optimizëm.
Megjithatë, futbolli është i paparashikueshëm dhe Dinamo mund të hapë një faqe të re, nëse arrin të nxjerrë në pah vlerat për të cilat kanë folur shpesh stafi dhe drejtuesit e saj. Më mirë vonë se kurrë.