
Milan Nikoliç, mesfushori serb i ardhur në merkaton e janarit, e kënaq një barazim në Ballsh në takimin e së dielës. “Nuk kemi pasur fat në takimet e zhvilluar në fushën tonë. Kemi lënë shumë pikë, të cilat duhet të ishin fituar. Humbja e këtyre pikëve ka ndikuar jo pak në aspektin psikologjik. Unë jam i mendimit se nëse do të arrijmë që të marrim të paktën një barazim në takimin me Bylisin situata do të fillojë të ndryshojë për mirë. Kemi shpërdoruar raste të shumta si asnjë skuadër tjetër në fushën tonë dhe për këtë edhe jemi ndëshkuar. Por jam i mendimit se, nëse marrim një rezultat pozitiv në Ballsh, aty do të nisë edhe ngjitja jonë. Nuk kemi një skuadër që të jetë në të tilla pozicione”, – thotë fillimisht për gazetën Nikoliç.
Përzgjedhja – Më pas ai ka shprehur edhe arsyet e zgjedhjes në janar. Mësohet se ka pasur oferta nga bardheblutë e Tiranës, si dhe nga skuadra të tjera të Superiores, megjithatë në fund ka vendosur që të veshë fanellën e ekipit të Vllaznisë. “Kam pasur oferta nga drejtuesit e Tiranës. Më është kërkuar të luaj për ta në këtë pjesë të sezonit, por arsyet financiare më kanë shtyrë që të jem pjesë e Vllaznisë. Këtu më janë plotësuar kërkesat që unë kisha dhe jam i kënaqur në këtë drejtim. Nga ana tjetër, e kam njohur skuadrën e Vllaznisë dhe e quaj me vlerë për zgjedhjen që kam bërë”, – shton mesfushori, i cili thekson me nota pozitive edhe ambientin në Shkodër. “Shkodra ka më shumë hapësirë sesa Gjirokastra ku unë jam aktivizuar. Këtu ka më shumë hapësirë për të lëvizur, është një qytet me hapësira. Ndërsa pak e ndjej të qenit serb në këtë vend. Askush nuk më paragjykon në këtë drejtim”.
Mosaktivizimi – Mesfushori ka shfaqur në këto javë një gjendje jo të mirë për të qenë nga minuta e parë në përbërje të ekipit. Por kjo nuk duket se ka zbehur aspak punën që ai bën për të qenë i gatshëm për teknikun Canaj. Nga sa mësohet, Nikoliç ka ende probleme fizike që po ndikojnë në mosaktivizimin e tij si titullar. “Unë jam profesionist. Zbatoj me korrektësi çdo vendim që më jep tekniku. Kur më kërkohet, jam i gatshëm të jem në fushën e lojës për të dhënë maksimumin tim. Nuk jam në një gjendje shumë të mirë fizike, por shpresoj të jap maksimumin në çdo mundësi që të më jepet”, – përfundon mesfushori serb i kuqebluve, Milan Nikoliç.
Admir URUÇI