Është vetëm 20 vjeç, por sytë e gjithë botës janë te ai. E duan në skuadër, e preferojnë ta rreshtojnë në prapavijë sepse vetëm qetësia e tij karakteristike mund ta mbajë rrjetën të paprekur. Bëhet fjalë për Marash Kumbullën, yllin e Kombëtares shqiptare që po shkëlqen dhe në qershor vështirë se do të qëndrojë te Verona.

Meritat e tij janë të padiskutueshme, por pas çdo “pikture” të bukur gjithmonë fshihet një njeri i thjeshtë me vlera të mëdha. I tillë është edhe Nikolin Kumbulla, babai i lojtarit të Veronës që në një intervistë ekskluzive për Newsport.al rrëfen të pathënat për djalin e tij. Nga hapat e parë e deri në ditët e sotme që siç e thekson dhe Nikolini, është një ëndërr e bërë realitet për të gjithë familjen.

Ata jetojnë prej vitesh në Itali, vendi i dytë në botë i prekur nga virusi “Covid 19”. Situata në shtetin fqinj është kaotike. Numër i madh të prekurish, qindra viktima në ditë dhe këtë e tregon edhe babai i lojtarit të përfaqësueses sonë. Zbulon programin e Marashit të dhënë nga Verona si dhe studimet online të 20-vjeçarit sepse është në vitin e fundit të shkollës së mesme.

Çdo e keqe e ka një të mirë dhe në këtë situatë të tmerrshme që po përjeton e gjithë bota Nikolini deklaron: “U desh Coronavirusi që unë të shijoj dhe të kënaqem me tim bir sepse s’e kisha kurrë në shtëpi”.

– Situata në Itali është mjaft e vështirë ashtu siç raportojnë mediet përtej vendit tonë. Si po e përjetoni këtë moment zoti Kumbulla?

Situata në Itali është shumë e vështirë. Coronavirusi po shkakton shumë viktima, pjesa më e madhe e tyre janë në moshë të vjetër. Shteti ka vendosur masa drastike në mënyrë që të gjithë të mund të qëndrojnë brenda. Po bëhet çmos që të fillojë të ulet numri i të infektuarve. Ne po qëndrojmë në shtëpi. Për fatin tonë të mirë kemi një shtëpi me oborr dhe kemi mundësinë të dalim jashtë. I gjithë vendi thuajse është paralizuar. Funksionojnë vetëm supermarketet ushqimore.

– Ndërkohë klubi i Veronës ka urdhëruar karantinimin e gjithë lojtarëve. Çfarë ndodh me Marashin?

Po, është e vërtetë. Edhe Marashi po zbaton me përpikmëri udhëzimet e klubit dhe do të qëndrojë për 15 ditë i izoluar. Jeton në një shtëpi me gjithë ne. Më shumë preferon të qëndrojë me vëllain e tij. Studion online me profesorët sepse është në vitin e fundit të shkollës së mesme.

– Sa e vështirë është për të që të qëndrojë i mbyllur?

Është shumë e vështirë për një 20-vjeçar të qëndrojë i mbyllur në shtëpi. Por, ai e kupton situatën dhe shpesh herë bën thirrje edhe të tjerëve të rrijnë brenda. Dua t’iu zbuloj faktin se kurrë nuk preferonte të qëndronte në shtëpi. Në mëngjes shkonte në shkollë dhe pasdite në stërvitje. S’e kemi pasur kurrë në shtëpi. Pavarësisht situatës që është, mund ta them me plot gojën që tani po shijoj djalin tim.

– A ka pasur një program stërvitor nga klubi për të?

Po, sigurisht. Pasdite stërvitet me programin e skuadrës që i kanë dhënë. Ka një bazë materiale, sigurisht të kufizuar.

– Edhe pse në këtë gjendje “lufte”, Marashi vijon të mbetet në radarin e shumë klubeve europiane. Ku do të donit ta shihnit djalin tuaj?

Çdo baba apo prind dëshiron ta shohë fëmijën e tij sa më lart. Por, e rëndësishme mbi të gjitha është që të jetë mirë dhe të stërvitet sa më shumë. Dua që të përmirësohet ende sepse e shoh që ka shumë potencial. Pastaj futbolli është edhe çështje fati dhe këtë e dimë të gjithë. Fati i tij do të vendoset në qershor pasi kërkesat janë të shumta.

– E sigurtë është që një emër skuadre ju s’do na e zbuloni. Ndaj, Seria A apo Premier League, cilën zgjidhni?

Siç e thashë kërkesat janë të shumta. Për mua mjafton të jetë mirë me shëndet, më tej për të ardhmen le të shohim.

– Sa e vështirë ka qenë për ju ta çonit Kumbullën në të tilla nivele?

Doni të vërtetën? Fare! E them këtë sepse unë jam shumë i apasionuar pas futbollit, edhe s’ka qenë e vështirë të punoj me djalin. Në moshë të vogël ai e donte shumë futbollin dhe nuk lodhej. Marashi punonte si të ishte profesionist që në hapat e para të tij. Dhe në ndeshjet që bënte me të rinjtë e Veronës gabonte shumë pak. Për mua ishte e pabesueshme që do të mbërrinte në Seria A.

– Në Itali e përshkruajnë si “gjerman” për karakterin e ftohtë që tregon. Është gjithmonë i fokusuar vetëm në punën e tij. Nga e ka trashëguar?

Po është e vërteë. Marashi është shumë i vëmendshëm në stërvitje dhe shumë i vendosur për atë që bën. Dua t’iu zbuloj një fakt interesant. Është identik si im atë, emrin e të cilit ka marrë.

– Duke qenë se Italia është vendi më i prekur nga Coronavirusi, një apel i juaji për gjithë bashkëkombasit anë e mbanë botës?

Italia është vendi më i prekur në Europë dhe i dyti në botë pas Kinës. Unë i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve në Itali dhe Shqipëri, por edhe në gjithë botën që mos të luajnë me këtë virus. Është një sëmundje infective shumë e rëndë për të gjithë, por më shumë e rrezikshme për moshat e vjetra. Për këtë arsye iu bëj thirrje të rrijnë në shtëpi. Më pëlqen ta mbyll këtë intervistë me frazën: “Unë rri në shtëpi”.

*SHËNIM: Nikolin Kumbulla preferoi të bënte një intervistë ndryshe. Kërkoi fillimisht pyetjet dhe më pas, si rrallëherë apo asnjëherë në vitet e fundit ku teknologjia ka zënë një vend të rëndësishëm në jetë, preferoi lapsin dhe letrën duke nisur përgjigjet ashtu siç i kishte shkruar me dorën e tij. E mrekullueshme!/newsport.al/