Prej dy ditësh puna ka nisur. Ndonëse me një fuqi punëtore jo shumë të madhe aktualisht, firma fituese e tenderit, ka premtuar se në ditët në vijim, fuqia punëtore do të rritet dhe intensiteti i punimeve do të përshpejtohet. Gjëja e parë që do rikonstruktohet do jetë parketi. Ka filluar heqja e parketit ekzistues dhe shumë shpejt do të vendoset i riu, që do të jetë krejt ndryshe nga ky aktuali. Vendosja e parketit do t’i mundësojë ekipit të basketbollit të Vllaznisë vazhdimin e procesit stërvitor aty. Njëkohësisht bashkë me këtë proces, do të nisë edhe zgjerimi i fushës. Mendohet që përmasat e fushës pas këtij rikonstruksioni të jenë në parametrat e duhura për ndeshje ndërkombëtare.

Po ashtu edhe shtimi i kapacitetit të këtij impianti sportiv. Firma fituese e tenderit për këtë rikonstruksion, Nika sh.pk. ka premtuar se do të bëjë më të mirën e mundshme për këtë rikonstruksion si në aspektin kohor ashtu edhe në atë cilësor. Drejtuesit e kësaj firme, kanë premtuar sot se çdo gjë do jetë gati në fundin e muajit shtator dhe për rrjedhojë Vllaznia nuk do të rrezikojë pjesmarrjen në Ligën Ballkanike.
Gjergj KOLA