Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia e Shkodrës e ka nisur vitin 2026 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë një fitore minimale, por shumë të rëndësishme përballë Pogradecit.
Ndeshja e zhvilluar mes dy skuadrave u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të kuqebluve, një sukses që vlen jo vetëm për kualifikimin në çerekfinalet e kupës së Shqipërisë, por edhe për sinjalet që skuadra po jep në këtë fillim viti ku objektivat ngelin shumë ambicioze.
Pika më e fortë e Vllaznisë në këtë takim ishte mbrojtja. Pas një viti 2025 ku pësimi i golave kishte qenë një problematikë e vazhdueshme, shkodranët arritën të mbajnë portën të paprekur, duke treguar më shumë siguri, organizim dhe përqendrim në repartin defensiv. Ky ndryshim u reflektua qartë në fushë dhe u shpërblye me një fitore të pastër.
Heroi i ndeshjes ishte Gjini, i cili përveçse zhvilloi një paraqitje solide në mbrojtje, arriti edhe të shënojë golin e vetëm të takimit. Një performancë e plotë nga mbrojtësi, që konfirmon formën e mirë dhe rëndësinë e tij në skemat e skuadrës.
Pozitive ishte edhe paraqitja e Çelikoviç, i cili tregoi nivel të mirë loje, qetësi dhe cilësi në veprimet e tij, duke dhënë një kontribut të vlefshëm si në ndërtimin e aksioneve, ashtu edhe në balancën e ekipit.
Fitorja ndaj Pogradecit dhe porta e paprekur janë një ogur i mirë për Vllazninë në këtë nisje të vitit 2026, duke lënë pas problemet e së kaluarës dhe duke rritur besimin për vazhdimësinë e sezonit. Kuqeblutë duken të vendosur të ndërtojnë mbi këtë bazë pozitive, me synimin për rezultate edhe më të mira në javët në vijim.


