Samuel Nikaj është trajneri i ri i Pogradecit për sezonin e ardhshëm 2022-2023 në Kategorinë e Dytë. 44-vjeçari u prezantua ditën e djeshme para skuadrës, teksa ka nisur menjëherë përgatitjet për sezonin e ri.

Synimi i trajnerit shkodran, Samuel Nikaj do të jetë që të kërkojë rikthimin e skuadrës pogradecare në Kategorinë e Parë, teksa në ditët në vazhdim do të vijnë edhe përforcimet e para për Pogradecin, ku nuk përjashtohet mundësia që Nikaj të marrë me vete edhe ndonjë futbollist shkodran tek liqenorët.

Kujtojmë që, së fundmi Nikaj ishte shumë pranë marrëveshjes me Vëllaznimin e Gjakovës, por vendosi të jetë në krye të Pogradecit. Tashmë, ai do të nisë një aventurë të re në Kategorinë e Dytë të futbollit shqiptar.

Më parë ai ka drejtuar me shumë sukses skuadra si Ada, ekipin e parë të Vllaznisë dhe atë U-19, Mamurrasin, Tërbunin, Besëlidhjen, Flamurtarin e Prishtinës, Kastriotin, Vushtrinë, Lirinë, Burrelin dhe së fundmi edhe njëherë tjetër Vushtrinë në Kosovë.
Maringlen ZHIVANI