Ashtu si edhe në ndeshjet e tjera të mëparshme, brenda dhe jashtë Shkodre, grupimi i tifozëve shkodran, “Vllaznit Ultras” do të jetë i pranishëm në “Loro Boriçi” për të mbështetur Vllazninë për ndeshjen e parë të Conference League ndaj Universitatea Kraiova. Ky takim po pritet me shumë interes në opinionin sportiv në Shkodër.

Ndeshja në fjalë do të luhet të enjten e ardhshme dhe do të startojë në orën 21:00, teksa nga sa bëhet e ditur, tifozëria shkodrane pritet të jetë e shumtë në stadiumin “Loro Boriçi”. Pikërisht, për këtë ndeshje, mbështetja kryesore pritet të vijë nga grupimi “Vllaznit Ultras”, që pozicionohen në C5, teksa ata përmes një njoftimi në rrjetet sociale, kanë bërë të ditur edhe disa detaje nga ky organizim i tyre.

“Qyteti im sa herë më thërret, do jem gjithmonë aty për ty. Me datë 21-korrik, në orën 21:00, do luhet sfida e parë europiane kundër Kraiovës.

Grumbullimi do të fillojë në orën 17:00 tek Teatri me këngë dhe me birra në dorë, do festojmë për Vllazninë, që shumë e dojmë.

Pastaj, të gjithë bashkë, do marshojmë drejt stadiumit. Merrni me vete shokë dhe miq dhe të mbështesim djemtë tonë maksimalisht përgjatë 90-minutave.

Gjithashtu, për ndeshjen e kthimit, ju rikujtojmë që rezervimet janë hapur dhe nxitoni që të rezervoni, pasi numri është i limituar”,-shkruajnë në rrjetet sociale grupimi i tifozëve shkodranë, “Vllaznit Ultras”.
Maringlen ZHIVANI