Kaos dhe polemika, kështu mund të përkufizohet ndeshja Flamurtari-Partizani në Vlorë. Të kuqtë fituan në javën e shtatë falë autogolit të Lorenc Trashit. Rezultati përfundimtar ishte 0 me 1.

Gjyqtarja Emanuela Rusta ishte protagoniste kryesore, bashkë me kryesorin Erjon Bylykbashi. Fillimisht Bylykbashi akordoi penallti në favor të Partizanit, pas rrëzimit të Xhuliano Skukës në zonë. Më pas Rusta e thërriti për të riparë rastin në fjalë, ndërsa kryesori ndryshoi vendimin duke e konsideruar faull të Skukës ndaj Telushit.

Më pas ishte minuta e 36-të, kur Maksuti tundi rrjetën, por anësori e konsideroi të parregullt. VAR konfirmoi si të saktë vendimin në fushë.

Emocionet e vërteta ishin ruajtur në pjesën e dytë. Në minutën e 63-të ishte Lorenc Trashi që me autogolin e tij i dha avantazhin Partizanit. Në minutat e fundit të kohës së rregullt, Oshafi vendosi baraspeshën te Flamurtari, por festa vendëse u prish për herë të dytë.

Maksuti më parë kishte prekur topin me dorë. Rusta thërriti sërish gjyqtarin Bylykbashi në VAR. Ky i fundit e anuloi golin. Tensioni ishte i pranishëm thuajse gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa trajneri Oltijon Kërnaja fitoi në debutimin e tij përballë Françesko Morieros.

REZULTATI PËRFUNDIMTAR

FLAMURTARI 0-1 PARTIZANI

63′(ag) Trashi