Disfatat e fundit kanë tronditur jo pak situatën në klubin shkodran. Duke parë që skuadra është në një humor jo të mirë, drejtuesit menduan që të organizonin një drekë, ku krahas lojtarëve të ishin pjesë edhe të gjithë pjesëtarët e stafit dhe zyrtarët e klubit.

Në këtë drekë përpara nisjes në Pogradec, lojtarët kryesorë janë pyetur nga drejtuesit dhe vetë trajneri se çfarë mendojnë për situatën në ekip dhe mbi të gjitha për atë që nuk shkon si duhet në javët e fundit. Në fund, futbollistët kanë premtuar kthesën e shpejtë në rezultate.

TITULLARËT

Trajneri Tomas Brdariç e ka vlerësuar maksimalisht ndeshjen e parë ndaj Pogradecit, që do të luhet sot në orën 14:00 në transfertë. Gjermani nuk do që të përsëritet ajo që ndodhi ndaj Labërisë në turin e parë, ku shkodranët hasën vështirësi.

Me përjashtim të lojtarëve të dëmtuar, skuadra ka udhëtuar e plotë drejt qytetit liqenor dhe trajneri Brdariç do të hedhë në fushë formacionin më të mirë, për ta zgjidhur që sot çështjen e kualifikimit. Në mesfushë, krahas Krymit, do të luajnë nga minuta e parë boshnjakët Heriç e Mustedanagiç.