Akademia Shkodra, me dy ekipet e saj U-14 dhe U-15, ka marrë një barazim dhe një fitore në ndeshjet e kësaj jave ndaj ekipeve të Juventus Academy Tirana.
Këto përballje janë luajtur në transfertë për ekipet shkodrane dhe duhet thënë se kanë prodhuar mjaft rivalitet dhe luftë sportive në fushën e lojës, sepse vetë përbërjet e këtyre ekipeve dhe pozicionet e tyre në renditje, e mundësonin këtë gjë.
Në ndeshjen e 14-vjeçarëve të Shkodrës ndaj Juventus Academy Tirana, i gjithë takimi do të mbyllej në barazim 0-0, pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve për të shënuar qoftë edhe një gol. Me këtë pikë të marrë, skuadra e drejtuar nga trajneri Luigj Ograja është ngjitur në kuotën e 16-pikëve, duke mbajtur vendin e pestë në renditje në tetë ndeshje të luajtura deri më tani dhe duke qenë brenda objektivave të saj.
Ndërkohë, në ndeshjen e 15-vjeçarëve, Shkodra e ka nisur mirë takimin ndaj Juventus Academy Tirana dhe ka arritur të shënojë edhe tre gola që në pjesën e parë, njëri pas tjetrit me anë të Pishtarit me një dopietë dhe Serxho Prendit.
Megjithatë, në të dytën, Juventus Academy Tirana është munduar të reagojë disi, teksa ka shënuar edhe një gol, por përfundimisht ndeshja do të mbyllej 1-3 për Shkodra U-15. Pas kësaj fitoreje, ekipi shkodran është ngjitur në vendin e shtatë në renditje, në kuotën e 15-pikëve në tetë ndeshje të luajtura deri më tani. /Maringlen ZHIVANI/
U-14: Juventus Academy Tirana-Shkodra 0-0
Formacioni i Shkodra U-14: Demiraj, Gucija, Halili, R. Sukaj, A. Sukaj, Pilaça, Gshtëja, Muça, Kukaj, Prendi, Marku Tr: Luigj Ograja
U-15: Juventus Academy Tirana-Shkodra 1-3
Golat për Shkodra U-15: Pishtari 8’, 19’, Prendi 30’
Formacioni i Shkodra U-15: Mlloja, E. Vulaj, Darçaj, Dukaj, A. Vulaj, Prendi, Sheqi, Fikaj, Boka, Vajushi, Pishtari Tr: Alket Beqiri