Karlo Ançeloti dhe Reali i tij janë të frikshëm në këtë sezon që po i drejtohet fundit. Shifrat e tij dhe mënyra sesi skuadra që ai drejton po mbërrin në pjesën vendimtare të sezonit flasin për një menaxhim të kujdesshëm dhe të suksesshëm të skuadrës, duke arritur nivelin maksimal kur në lojë është i gjithë sezoni.

Antonio Pintus, përgatitësi atletik, dhe pjesa tjetër e stafit stërvitor janë gjithashtu një pjesë thelbësore në mënyrë që “Los Blancos” të jetë shumë pranë fitimit të titullit. Reali i Madridit, kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje deri në fund të kampionatit, është kryesuesi më i shkëputur në La Liga që kur në kampionatin spanjoll aplikohet rregulli i tri pikëve për çdo fitore. Deri më tani nuk kishte ndodhur në Spanjë që një skuadër pesë ndeshje nga fundi të ishte e shkëputur me 15 pikë nga vendi. Madje, as me 12 pikë nëse Barcelona do të fitojë takimin e prapambetur të së dielës kundër Vajekanos. Skuadra e Ançelotit është Reali më i mirë që nga sezoni 2016-2017.

Edhe atëherë Reali kishte 78 pikë, po aq sa skuadra aktuale, por asokohe me një diferencë vetëm 6 pikë nga ndjekësi më i afërt. Edhe në atë sezon titulli përfundoi në Madrid, sikurse pritet dhe aktualisht. Diferenca e Realit të Ançelotit me të tjerët është te fitoret.

Madrilenët numërojnë 24 fitore, kundrejt 18 të Barcelonës dhe Atletikos së Madridit. E veçanta është se Reali ka fituar më shumë takime jashtë fushës së tij (13), me Barcelonën dhe Betisin që kanë fituar nga 8 jashtë fushës së tyre. Gjithashtu Reali i Ançelotit është skuadra që shënon më shumë në La Liga (69 gola), tetë më shumë se Barcelona si dhe ka golashënuesin më të mirë në kampionat, Karim Benzema, me 25 rrjeta.

Për të ardhur më pas te trajneri Karlo Ançeloti. Tekniku italian lë pas të gjithë kolegët e tij që janë ende aktivë. Karlo Ançeloti është trajneri aktiv që ka përqindjen më të madhe të sukseseve për ndeshje, krahasuar me kolegët e tij. Shkalla e sukseseve të Karlo Ançelotit është 74.25%, duke lënë pas edhe Pep Guardiolën, rivalin e tij të ardhshëm në Ligën e Kampioneve. Një arsye më shumë për të ndjekur me kërshëri duelin e dy titanëve të pankinave duke nisur nga e marta e ardhshme.