Ka qenë skeptik në fillim për merkaton e zhvilluar dhe numrin e shumtë të lojtarëve të ardhur, por sot kur sheh se çdo gjë po shkon ashtu si duhet, i jep atë çfarë i takon. Hysen Zmijani, emri i madh i futbollit shkodran dhe atij shqiptar, duke folur në lidhje me ecurinë e Vllaznisë në këtë sezon, është shprehur:

“Janë duke punuar mirë, është një grup i ri dhe po marrin maksimumin prej tij. Ndoshta në fillim kisha rezerva, por rezultatet flasin vetë.Ndoshta në 2-3 javët e para Vllaznia ishte surprizë, por nuk mund ta quash më ashtu sepse po e tregon vazhdimësia e saj me rezultatet pozitive. Edhe ndaj Tiranës, edhe ndaj Kukësit, u pa forca e Vllaznisë”.

Gjatë verës shumëkush ka qenë skeptik për mënyrën si po ndërtohej skuadra sepse u larguan shumë lojtarë dhe erdhën shumë të tjerë. Njëri nga to që nuk ka qenë shumë i bindur tek suksesi, mund të ketë qenë edhe vetë Zmijani e këtë e pranon edhe vetë kur shton:

“Me 16 blerje të bëra, Vllaznia duhet të ishte absolute dhe unë kisha dyshimet e mia. Në fakt nuk ishin emra të mëdhenj ata që u blenë por po tregojnë vlera dhe po vërtetojnë më së miri atë thënien se futbolli nuk luhet me emër”.

I pyetur nëse skuadra ka nevojë për ndërhyrje në merkato gjatë janarit, Mjeshtri i Madh i futbollit shqiptar Hysen Zmijani shprehet: “Mund të them se sot për sot skuadra është perfekte, është ajo rinia që po vrapon tek Vllaznia.

Por ndoshta në janar ka nevojë ndoshta për një apo dy blerje, lojtarë me eksperiencë. Trajneri, drejtori teknik dhe presidenti kanë punuar mirë deri tani dhe është për t’u shtrënguar dorën”./SHKODRA-SPORT.COM/