Fallou Diagne është një futbollist i lirë që pas largimit nga Vllaznia. Mbrojtësi u afrua në merkaton e verës së kaluar te shkodranët dhe para disa muajsh, palët patën vendosur të mos e zgjasin më bashkëpunimin, teksa senegalezi la kontratën përgjysmë dhe u largua pas edhe disa përplasjeve.
Momentalisht, Diagne është futbollist i lirë dhe po kërkon një tjetër skuadër në karrierë. Emri i tij është lakuar së fundmi rreth një rikthimi në Shqipëri, më konkretisht tek Tirana, por në fakt ditën e djeshme vetë 32-vjeçari, ka postuar në rrjetet sociale një foto me fanellën e Vllaznisë.
Kështu, duket se mbrojtësi i “shkel syrin” shkodranëve për një rikthim të mundshëm sërish. Ky mund të jetë sinjal për drejtuesit e kuqebluve, teksa mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në vazhdim.
Diagne e njeh mirë ambientin kuqeblu, pasi ka luajtur sezonin e fundit me Vllazninë. Me një karrierë të pasur te Metz, Freiburg, Rennes, Werder Bremen, Konyaspor dhe së fundmi tek Vllaznia, Fallou Diagne në këtë mënyrë, mund të ketë shprehur hapur dëshirën për një rikthim në Shkodër me kuqeblutë.
Maringlen ZHIVANI