Ilirjan Haxhaja është fizioterapisti i Vllaznisë, që në kohë të mira dhe në të vështira ishte dhe është gjithmonë pranë futbollistëve. Ai ka diçka më shumë se 12-vite, që kujdeset për gjendjen fizike të ekipit shkodran. Në ditët e sotme, Haxhaja nuk ndihet vetëm fizioterapist. Ai ka qenë aty pranë Vllaznisë, duke përcjellë çdo emocion që ekipi jepte në fushë, të mira apo të këqija.

Në fakt, Haxhaja ka kaluar një sërë problemesh në skuadër me futbollistë të ndryshëm. Megjithatë, sërish ai mbetet në stafin mjekësor në klubin kuqeblu dhe një nga personazhet më të dashur të stafit shkodran.

Haxhaja është një nga emrat më të njohur në Shkodër në fushën e ortopedisë, teksa shpeshherë është bërë protagonist për mirë. Ai ka arritur të zgjidhë si duhet disa momente të vështira, që kanë ndodhur në fushën e lojës në periudha të caktuara.

Kujtojmë këtu disa vite më parë historinë kur Ilirjan Haxhaja, i shpëtoi jetën ish-futbollistit të Bylisit, Amarildo Dimo, që mori një goditje të rëndë gjatë një përplasje në fushën e lojës apo edhe shumë histori dhe episode të tjera.

Deri më tani, Ilirjan Haxhaja misionin e tij e ka kryer me sukses në shumë raste të tilla dhe jo më kot, duhet një falënderim edhe për të, për punën që bën, sepse është pjesë e rëndësishme e futbollit shkodran me rolin e tij.
Maringlen ZHIVANI