Misioni i Kristiano Ronaldos këtë javë është shumë i veçantë. Përballë Francës, të mërkurën nuk e pret vetëm një betejë për kualifikimin, por edhe për t’i dhënë fund një makthi që zgjat prej 15 vitesh.

Kristiano Ronaldo ka shënuar 107 gola me përfaqësuesen e vendit të tij, por asnjë të tillë kundër Francës, një prej ekipeve më te cilin është ndeshur vazhdimisht.

Me “gjelat” ai është përballur për herë të parë në gjysmëfinalen e Botërorit 2006 dhe të mërkurën, ndaj tyre do të regjistrojë ndeshjen e 7 në karrierë. Në 6 takimet e mëparshme, në 439 minuta lojë, ai nuk i ka shënuar asnjëherë francezëve që janë kështu përfaqësuesja që i ka rezistuar më shumë pa pësuar gol nga portugezi.

Një gol ndaj Francës do të mbyllte këtë mallkim 15-vjeçar për Ronaldon, duke i hapur rrugë një tjetri, atij me… Shqipërinë. Rezulton se pas Francës, ekipi ndaj të cilit ai ka luajtur më shumë pa i shënuar është pikërisht Shqipëria, me 4 takime të tilla.

I pari ishte rreth 18 vite më parë, në miqësoren e fituar 5-3 nga luzitanët në tetor 2003. Më pas vijnë dy ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2010, si dhe ndeshja e dytë në kualifikueset e Euro 2016 në Elbasan.

Katër ndeshje ku ai ka qenë në fushë, por nuk ka mundur të kalojë me radhë Strakoshën, Billën, Beqajn, Hidin e në fund edhe Berishën. Ndaj të mërkurën, sfida Portugali-Francë, do të ketë rëndësi edhe për Shqipërinë. /vipsport/