Vllaznia do udhëtojë drejt Korçës këtë fundjavë ku do ketë përballë vendasut e Skënderbeut. Një takim ku në letër kuqeblutë janë favoritë duke konsideruar se edhe korçarët nuk janë ata të sezoneve të shkuara që dominonin në Superligë. Por sërish ky takim do ketë vështirësi për shkodranët.
Kjo pasi “ujqërit e dëborës” luajnë para tifozëve të tyre, ku nuk duan të bëjnë një figurë të shëmtuar. E së fundmi një tjetër lajm që duket se ka sjellë më shumë pozitivitet tek bardhekuqtë vjen nga Uefa.
Janë konfirmuar lajmet e ditëve të fundit ku korçarët tashmë janë të dënuar me 5 vite mospjesëmarrje në kupat e Europës dhe jo me 5 kualifikime.
Që do thotë që edhe nëse Skënderbeu nuk arrin të futet në kupat e Europës nëpërmjet kampionatit apo kupës sërish do konsiderohet një vit i larë nga dënimi. Një gjë e tillë ka ngritur humorin në ambientin korçar.
Dhe një frymë e tillë pozitive pritet të jetë një motiv shtesë përballë Vllaznisë në përballjen e kësaj jave. Vllaznia nga ana e saj kërkon fitoren pas 2 barazimeve të njëpasnjëshme dhe objektivi i vetëm janë 3 pikët në këtë transfertë.
Endri ÇINARI