Kohët e fundit trajneri i Vllaznisë Mirel Josa, shpesh here nuk është shfaqur i qetë teksa herë pa here ka dhënë disa deklarat duke lënë të kuptohet se në radhët e kuqebluve mund të ketë probleme, por që tekniku i kuqebluve ka deklaruar se do t’i bëjë publike kur t’i vijë koha. Madje pas ndeshjes me Teutën, që shkodranët e fituan 3-1 Josa në konferencën për shtyp përmendi frikën apo tha se fitorja shërben për të shuar probleme të qëna e të paqëna. Në lidhje me këtë situatë ka folur administratori i Vllaznisë sh.a, Kujtim Shaba. Ai ka deklaruar se trajneri Josa nuk është vënë asnjëherë në presion apo nuk është diskutuar asnjëherë largimi i tij nga stoli i Vllaznisë. “Trajneri Josa është lënë që të punojë i qetë. Që pas marrjes së Klubit nga ana e Bashkisë, ndonëse në ditët e fundit Josës i janë plotësuar të gjitha kërkesat e tij për të përforcuar skuadrën e Vllaznisë. Gjithashtu asnjëherë nuk është diskutuar largimi i tij nga Vllaznia. Është fillimi i sezonit dhe ne po punojmë për të konsoliduar ekipin dhe nuk po mendon kush për largime. Nga ana jonë si Bord drejtues nuk ka patur as presione para apo pas ndeshjeve. Nuk e kemi vënë Josën në pozita në vështira, përkundrazi ai ka plotësisht mbështetjen tonë dhe duhet të ndjehet i qetë” – ka deklaruar Shaba. Nga ana tjetër administratori ka folur edhe për 20 ditët e para të kthimit të Klubit Vllaznia në sh.a. “Ka qenë një moment jo i lehtë për ta zgjidhur. Megjithatë që pas dorëheqjes së Fushaj ka vepruar menjëherë Bashkia. Kemi rënë dakord me lojtarët që kanë marrë këstet dhe rrogat që këto shuma të paguhen në dy pjesë për shkak të procedurave dhe për një lehtësi ekonomike për Bashkinë. Deri tani po procedojmë me paratë nga që kanë ardhur nga e drejta televizive, të ardhurat nga biletat e takimeve të para si dhe reklamat që janë vendosur në stadium. Me këto të ardhura po mundohemi të mbulojmë shpenzimet që deri tani kanë arritur bë rreth 70 milionë lekë të vjetra. Deri në muajin janar do të vazhdohet kështu, pastaj në janar e më pas pritet të vijnë aksionerët që do të jenë pjesë e sh.a-së. Në këtë mënyrë siguroj të gjithë se nuk ka asnjë donator misterioz siç përflitet në qarqet sportive në Shkodër e më gjërë”- ka shpjeguar Shaba. Edhe njëherë administratori Shaba ka siguruar se Vllaznia për momentin por edhe në vazhdim i ka financat e shëndosha dhe se askush nuk duhet të trembet.

Senad Nikshiqi