Opozita në qytetin e Shkodrës ka bojkotuar mbledhjen e zhvilluar në Bashki mes grupeve partiake që janë pjesë e Këshillit Bashkiak. Shkak është bërë pretendimi për drejtuesin e ri të Komisionit të Sporteve. Ky post është kërkuar nga përfaqësuesi i PBDNJ Erogen Vaso i cili ka arritur konsensus me Opozitën dhe ka shfaqur interesin e tij për të qenë Kryetar i Komisionit të Sporteve.

Kjo nuk është pranuar nga Partia Demokratike e cila ka edhe shumicën në Këshillin Bashkiak. Koalicioni i djtathtë do të kërkojë që ai komision të drejtohet nga një përfaqësues i tyre dhe alternativa më e mundshme është Xhevdet Amuli. Në fakt çdo herë Komisionet janë ndarë me konsensus mes maxhorancës dhe Opozitës ku natyrisht shumicën e komisioneve i ka patur koalicioni i djathte. Në këtë mënyrë edhe kësaj here Vasos i ështe propozuar që të marrë drejtimin e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, por ky i fundit e ka refuzuar duke ngulmuar të jetë në atë të sporteve duke qenë se më parë ka qenë një ish sportist dhe konkretisht futbollist me ekipin e Vllaznisë. Por kjo nuk është marrë në konsideratë nga maxhoranca e cila në mbledhje ka konfirmuar se sportet do të drejtohen me shumë mundësi nga këshilltari i djathtë Xhevdet Amuli. Në këtë situatë Opozita ka bojkotuar këtë mbledhje dhe kundërshtimin e saj pritet ta shfaqë edhe në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak që do të jetë me 29 shtator. Por nëse emri i Xhevdet Amulit miratohet si Kryetar i Komisionit të Sporteve në një të ardhme jo shumë të largët mund të sjellë edhe konflikt interesi. Amuli aktualisht përflitet se është një nga donatorët i cili po financon për Vllazninë pas kthimit në “Shoqeri Aksionere”. Emri i tij nga burime pranë Bashkisë thuhet të jetë edhe një nga aksionerët e ardhshëm kur Shoqëria Aksionere e Vllaznisë të marrë formë të plotë në muajin janar. Në këtë mënyrë duke qenë edhe aksioner edhe Kryetar i Komisionit të Sporteve në Këshillin Bashkiak mund të ketë konflikt interesi. Nga ana tjetër Kryetari i mëparshëm Nikë Kodra ka shfaqur edhe ai dëshirën për të qenë sërish, por është tërhequr duke e parë si të pamundur garën me përfaqësuesin e koalicionit të djathtë. Gjithashtu Partia Demokratike duke mos lejuar që sportet të kenë drejtimin e Opozitës sërish ka konfirmuar se është ajo që përmes pushtetit vendor në këtë rast edhe të Komisionit të Sporteve por edhe komisioneve të tjera më të rëndësishme të ketë kontroll të plotë. Në rastin konkret tek sportet përveç kalimit të pikave në rendin e ditës, propozimeve për shpërblimin e ndonjë sportisti cilësor, propozimin për nderimin e figurave të sportit apo ndonjë procedure tjetër të thjeshtë nuk ka asgjë më shumë nën administrim siç mund të jenë fondet apo investime të ndryshme. E megjithatë komsionet e rëndësishme kërkohen nga e djathta më shumë për të treguar autoritet. Thuajse e njëjta situatë vijon të jetë edhe me “Sport Klub Vllaznia”, institucion i cili vijon të drejtohet nga një partiak si Gëzim Mema i cili akoma nuk është zëvendësuar edhe pse ka mbushur moshën e pensionit, dhe kjo gjë pritet të ndodhë vetem kur Partia Demokratike të ketë të gatshëm një emër nga radhët e saj për atë post. Në këtë mënyrë edhe sporti nuk i shpëton interesave partiake edhe pse nuk duhet të jetë i tillë, aq më tepër në një qytet si Shkodra.

Senad Nikshiqi