Shkruar nga Endri ÇINARI
Në një sezon të mbushur me emocione, sakrificë dhe futboll cilësor, Vllaznia U16 ka shkruar një tjetër faqe të artë në historinë e akademisë kuqeblu, duke u shpallur kampione e Superiores për sezonin 2025-2026. Të rinjtë shkodranë triumfuan në finalen e madhe ndaj Tiranës me rezultatin 2-1, duke vulosur në mënyrën më të bukur një edicion që e dominuan pothuajse nga fillimi deri në fund. Në fushën e lojës u pa qartë karakteri i një skuadre të ndërtuar me kujdes, disiplinë dhe mentalitet fitues.
Nën drejtimin e trajnerit Haris Dalipi, kjo skuadër arriti të shfaqë jo vetëm cilësi teknike, por edhe pjekuri sportive përtej moshës së tyre. Vllaznia U16 ishte ndër ekipet më të qëndrueshme gjatë gjithë kampionatit, duke treguar identitet të qartë loje dhe një frymë grupi që shpeshherë rezulton vendimtare në ndeshje të mëdha. Finalja ndaj Tiranës ishte pasqyra më e mirë e këtij rrugëtimi, me kuqeblutë e vegjël që ditën të menaxhonin presionin dhe të godisnin në momentet kyçe për të ngritur trofeun e kampionit.
Ky sukses është një tjetër dëshmi e punës së shkëlqyer që vazhdon të bëhet në Akademinë Vllaznia. Prej vitesh tashmë, klubi shkodran vazhdon të prodhojë talente dhe të dominojë në grupmosha të ndryshme të futbollit shqiptar. Thuajse çdo sezon, emri i Vllaznisë lidhet me trofe në nivelet e moshave, çka tregon se investimi dhe serioziteti në formimin e futbollistëve të rinj po japin frytet e veta. Akademia kuqeblu mbetet një ndër modelet më të mira në vend për mënyrën sesi punohet me të rinjtë.
Jo rastësisht, shumë prej elementëve të kësaj skuadre shihen si futbollistë me perspektivë për të ardhmen. Brenda këtij grupi ka lojtarë që spikasin për talentin, personalitetin dhe aftësinë për të bërë diferencën, ndërsa pritshmëritë janë të mëdha që në vitet e ardhshme disa prej tyre të trokasin fort edhe në dyert e ekipit të parë të Vllaznisë. Tradita shkodrane ka treguar gjithmonë se futbolli i madh lind nga puna me bazën dhe kjo skuadër duket se është një tjetër brez premtues për klubin.
Një rol të veçantë në këtë triumf pati edhe tifozëria shkodrane, e cila nuk mungoi as në këtë finale të rëndësishme. Rreth 1000 tifozë të pranishëm në stadiumin “Reshit Rusi” krijuan atmosferë të jashtëzakonshme, duke mbështetur pa pushim të rinjtë kuqeblu. Prania e tyre ishte një tregues i qartë se futbolli në Shkodër nuk është thjesht sport, por identitet, kulturë dhe pasion që trashëgohet brez pas brezi.
Pavarësisht problematikave të shumta që shpesh shoqërojnë futbollin shqiptar, Shkodra vazhdon të mbetet një qytet që jeton me futbollin dhe për futbollin. Triumfi i Vllaznisë U16 nuk është vetëm një trofe i fituar në një grupmoshë, por një sinjal i fortë se e ardhmja e klubit mbetet në duar të sigurta. Me talente premtuese, trajnerë të përkushtuar dhe një qytet që frymon futboll, Vllaznia vazhdon të mbetet krenari sportive dhe një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit shqiptar.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


