Nga Endri ÇINARI

Vllaznia u-19 e ka nisur sezonin e ri në mënyrë spektakolare. Kuqeblutë e vegjël fituan në javën e parë në shifrat 4-5 ndaj Bylis e ndërsa “shkërmoqën” ditën e djeshme ekipin e Internacional me rezultatin 7-0. Një makineri golash kjo e drejtuar nga ish-sulmuesi legjendar, Vioresin Sinani.

E këtë e vërteton edhe pjesa sulmuese e skuadrës, ku 3 personazhet kryesorë po marrin përsipër fatet e ekipit. Fjala është për treshen Dodaj-Halili-Zaganjori.

Të 3 këta futbollistë kanë shënuar në dy ndeshjet e këtij fillim sezoni. Në dy javë shënuesi më i mirë i kampionatit tek u-19 është Kevin Dodaj. Ku sulmuesi i Vllaznisë deri më tani e ka dërguar topin 4 herë në rrjetë.

Nuk është edhe aq pas edhe kolegu i tij i repartit, Klajti Halili. Qendër sulmuesi i skuadrës në 2 javë ka shënuar 3 gola, duke treguar nuhatje të mirë para portës. Disi më i tërhequr pas sulmuesve luan Ersi Zaganjori, por një fakt i tillë nuk e ndikon aspak tek ai për shënimin e golave.

Pasi edhe ai ka shënuar 3 gola në 2 javë deri më tani. Një treshe që premton shumë jo vetëm për Vllazninë u-19 në këtë kampionat, por ndoshta në të ardhmen edhe për ekipin e parë. Ku me një formë të tillë nuk do jetë e largët dita që këta futbollistë apo edhe të tjerë ti shohim si pjesë e Superiores në futbollin tonë.