Kastrioti humbet një tjetër pjesë të rëndësishme të skuadrës së edicionit të kaluar. Klubi krutan nuk do të ketë në dispozicion as një nga shtyllat e mesfushës, brazilianin Agnaldo Moraesh.

Futbollisti ishte kthyer në një nga pikat e referimit për Kastriotin në sezonin e kaluar, duke e ndihmuar me lojën e tij si në sulm, e shpeshherë i sakrifikuar edhe në mbrojtje, për të siguruar rezultate të rëndësishme e në fund për të arritur mbijetesën në elitë.

Por mes palëve nuk është gjetur akordi për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në sezonin e ri dhe Moraesh, nëpërmjet rrjeteve sociale, ka bërë të ditur se nuk d të jetë pjesë e Kastriotit për edicionin e ri.

“Dua të falënderoj Kastriotin për këtë vit, i uroj më të mirat të gjithëve dhe paçi fat në sezonin e ri”, shkruante Moraesh në mesazhin e tij duke i dhënë lamtumirën kampionatit shqiptar.