Trajneri i Italisë, Roberto Mançini ka shpallur listën me 26 lojtarët e grumbulluar për Europianin që nis më datë 11 qershor. Një nga surprizat e trajnerit ishte edhe grumbullimi i talentit të Sasuolos, Xhakomo Raspadori.

21-vjeçari do të jetë pjesë e ofensivës së kaltër së bashku me emra si Imobile, Beloti, Kieza etj… Sakaq, agjenti i Raspadorit, Fausto Pari thekson se i përfaqësuari i tij është një djalosh i “vjetër”, që vendos mendjen në fushë.

“Grumbullimi me kombëtaren është përmbledhja e një rrugëtimi që ka bërë, është një surprizë e mirëseardhur. Raspadori ka kualitete që jo të gjithë i kanë, forca e tij është mentaliteti.

Arsyeton si një sulmues veteran, është një djalosh i “vjetër”, një me mendje në kokë. Nuk ka asnjë tatuazh, Mançini i njeh mirë kualitetet e lojtarëve të tij. Duhet të flasim me Sasuolon, por mund të shkojë te Napoli”, u shpreh Pari. /VipSport/