Boksieri shkodran Arjon Kajoshi po bën një paraqitje shumë të mirë në Kampionatin Europian të 22 vjeçarëve që është duke u zhvilluar në Targu të Rumanisë.

Ai ka arritur të fitojë dy ndeshje deri më tani duke siguruar kështu daljen në çerekfinale.

Sportistit të kombëtares tonë i mjafton një fitore nesër ndaj kundërshtarit të tij izraelit dhe do të kualifikohej për në gjysmëfinale, çka do të thotë se automatikisht siguron medaljen e bronztë.

Nëse do ta arrinte këtë, padyshim që do të kemi të bëjmë me rezultatin më të lartë në historinë e boksit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Kjo sepse deri më tani, kemi tre medalje boksi vetëm për 18 vjeçarë të marra pikërisht nga Nelson Hysa, Rexhildo Zeneli dhe Jurgen Uldedaj.

Për moshat e rritura asnjëherë nuk jemi ngjitur në podium dhe tashmë Kajoshi është shumë pranë.

Por duhet thënë se dy ditët e fundit, boksieri shkodran ka pasë disa probleme shëndetësore me bllokimin e muskujve të shpinës.

Kjo ka ardhur si pasojë e lodhjes së pësuar në dy ndeshjet e zhvilluara por edhe mungesës së një fizioterapisti për kombëtaren shqiptare.

Nisur nga kjo, rolin e tij është munduar ta kryejë zëvendëstrajneri Jozef Sermi.

Ndërsa gjatë ditës së sotme ndërkohë në ndihmë boksierit shqiptar i ka ardhur fizioterapisti i kombëtares bullgare!!!

Këto janë çudirat e sportit tonë megjithatë, Kajoshi është i vendosur për t’i shkuar deri në fund ëndërrës së tij: marrjes së një medalje në Kampionatin Europian.
© shkodrasport.com