Teuta ka ruajtur vendin e parë në renditjen e Superiores duke fituar ndaj Skënderbeut në fushën e korçarëve, e duke u hakmarrë kësisoj për eliminimin në Kupën e Shqipërisë.

Edhe pse ka qenë një ndeshje pa shumë raste për t’u shënuar, durrsakët në fund kanë marrë tre pikët që i nevojiteshin për të mbajtur vendin e parë në klasifikim, falë një penalltie të fituar në fundin e pjesës së parë.

Skënderbeu u mundua të reagonte por traversa i mohoi golin Marës, ndërsa më pas e kishte të vështirë të gjente hapësira në mbrojtjen hermetike të Teutës që administroi me kujdes sfidën edhe pse nuk arriti të shtonte diferencën me kundërsulmet e saj. Gjithsesi, edhe rezultati 1-0 i mjaftonte për vazhduar ecurinë në kreun e renditjes, e ndërgjegjshme që është në rrugën e duhur për të siguruar titullin. Kurse Skënderbeu nuk përfitoi nga hapat e gabuar të skuadrave më sipër për të përmirësuar pozitat në klasifikimin e Superiores.

Skënderbeu-Teuta 0-1
43′ (p) Bregu

Skënderbeu: Dajsinani, Meksi, Vitija, Bajrami (76′ Rapaj), Sadriu, Zguro, Mara, Taipi (62′ Vangjeli), Zhan Viktor (89′ Douna), Berisha, Mensah
Trajner: Migen Memelli

Teuta: Frashëri, Todorovski, Hoxha, Arapi, Xhekson (77′ Kuros), Aleksi, Daja, E. Vila, L. Vila (65′ Krasniqi), Bregu, Gruda (90’+1′ Beqja)
Trajner: Edi Martini

KV: L. Vila / Sadriu, Zguro, Mara

Gjyqtar: Kreshnik Cjapi

MINUTË PAS MINUTE

90’+5’ Mbyllet ndeshja me fitoren minimale të Teutës.

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

84’ Vangjeli harkon në zonë për Mensah, i cili rrëzohet pas kontaktit me Arapin, gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

78’ Pas një goditje dënimi, Krasniqi devijon në zonën e durrsakëve, por Dajsinani me këmbë ruan të paprekur katërkëndorin e portës së tij.

71’ Hoxha eviton probleme para portës së tij kur topi harkohet drejt Mensah në qendër të zonës, duke i larguar sferën sulmuesit.

66’ Goditje dënimi thuajse perfekte e Marës me të majtën, topi kalon murin por përplaset në traversën e portës së Frashërit. Shpëtojnë durrsakët.

63’ Mara harkon për Mensah, por ai nuk arrin të kthejë sferën drejt portës. Në vijimin e aksionit topi shkon te Berisha i cili gjuan nga jashtë zonës, por e fluturon atë shumë larg katërkëndorit.

58’ Bregu bën një tjetër lëvizje diagonale nga e majta derisa gjen hapësirën për të gjuajtur, por tentativa e tij ndalet nga mbrojtësit që evitojnë rrezikun në portën e Dajsinanit.

51’ Një goditje dënimi e harkuar nga Mara në zonën e Teutës shkakton panik para portës së Frashërit, por më pas Aleksi largon sferën për të mos rrezikuar katërkëndorin e durrsakëve.

46’ Rifillon ndeshja pa ndryshime në radhët e dy skuadrave.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë më avantazhin e Teutës.

45’ Jepet 1 minutë shtesë.

45’ Bregu shfaqet përsëri rrezikshëm në krahun e majtë, pason në qendër por gjen në kundërkohë Grudën i cili nuk përfiton.