Klubi i Vllaznisë ka zgjedhur të punojë në fshehtësi të plotë sa i përket merkatos së verës. Kështu, mes një eksodi të madh me largime futbollistësh, drejtuesit e Vllaznisë kanë arritur në këtë periudhë të bëjnë edhe lëvizjet e tjera sa i përket merkatos në hyrje.

“Shkodra Sport” ka zbuluar se është gati një tjetër futbollist që pritet të firmosë në ditët në vijim me klubin shkodran. Fjala është për maqedonasin Konstantin Cheshmedjiev, i cili e mbylli sezonin tek Septemvri Sofia.

Me këtë futbollist, drejtuesit e Vllaznisë kanë biseduar dhe tashmë mbetet për t’u parë nëse do të zyrtarizohet apo jo. Burime të sigurta i treguan gazetës “Shkodra Sport” se, me këtë futbollist negociatat janë në rrugë të mbarë dhe pritet firma.

Konstantin Chesmedjiev është një mbrojtës maqedonas, i cili së fundmi ka qenë pjesë e klubit bullgar, Septemvri Sofia, që militon në Superligën e parë bullgare, por që ra nga Kategoria këtë sezon. 27-vjeçari ka luajtur 11-ndeshje me Septemvri Sofia, teksa 10-prej tyre i ka nisur si titullar.

Më parë, ai ka luajtur edhe me skuadra si Slavia Sofia në Superligën bullgare, Shkupi, Shkëndija e Tetovës, Akademija Pandev, Makedonija GJP dhe Pelister në Maqedoni. Gjithashtu, Chesmedjiev është aktivizuar edhe me Velez në Bosnje.

Klubi e ka “peshkuar” këtë futbollist, me Vllazninë që po bën gjithçka për ta binduar. 27-vjeçari është qendërmbrojtës, por mund të luajë edhe si mesfushor shkatërrues dhe te Vllaznia e presin krahë-hapur.
Maringlen ZHIVANI