Vllaznia në volejboll për meshkuj nuk ia ka dalë të marrë një fitore ndaj Tiranës dhe është mundur sërish edhe në ndeshjen e javës së 11-të të kampionatit.
Ndeshja e zhvilluar mbrëmjen e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, foli tërësisht për skuadrën bardheblu, e cila për asnjë moment nuk e vendosi në diskutim fitoren.
Seti i parë, ishte seti më me rivalitet, teksa kuqeblutë diktojnë në fushën e lojës. Vendasit, duke qenë më të saktë në veprime, por duke përfituar edhe nga ndonjë gabim në kampin bardheblu e mbyllin atë me shifrat 25-20 në favor të tyre.
Megjithatë, në setin e dytë, Tirana merr iniciativën e lojës dhe më pas deri në fund të ndeshjes janë bardheblutë që marrin situatën në dorë. Madje, arrijnë të ecin mirë gjatë pikëve, teksa e mbyllin setin e dytë në favor të tyre me rezultatin 20-25.
Edhe seti i tretë vazhdon të jetë nën diktatin e Tiranës, ku edhe pse ka përballë një Vllazni që ka dëshirë për të marrë të paktën një set, ajo duket e pafuqishme përballë kualitetit bardheblu. Kështu që, Tirana e mbyll këtë set me avantazhin 14-25.
Në setin e katërt, në rradhët e kuqebluve shfaqen gabime të shumta. Trajneri Kalaja bën ndërhyrje duke freskuar herë pas herë formacionin, por Tirana me një frymë grupi për t’u vlerësuar e mbyll edhe setin e katërt me fitore, këtë rradhë me shifrat 18-25.
Në këtë mënyrë, Tirana del fituese e të gjithë ndeshjes me rezultatin 1-3. Një ndeshje kjo për t’u harruar për kampin kuqeblu, ku me të drejtë, pas ndeshjes, trajneri shkodran Artan Kalaja kritikoi skuadrën e tij.
Humbja me Tiranën, nxorri në pah problemet që gjenden në kampin kuqeblu, të cilat gjatë ditëve në vazhdim, trajneri Artan Kalaja, do të punojë për t’i përmirësuar, në mënyrë që në javët e ardhshme të rikthehen tek rezultati pozitiv. Poashtu, besimi i trajnerit Kalaja është se në ditët në vazhdim, pasi të analizohen edhe problemet e shfaqura në këtë ndeshje, Vllaznia do të kthehet tek fitoret duke synuar të futet në zonën e katër skuadrave më të mira të fazës play-off.
Maringlen ZHIVANI