Shqipëria U-19, e drejtuar nga Erjon Bogani, fitoi minimalisht me Kazakistanin ndeshjen e parë miqësore, që u zhvillua në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës, në kuadër të ndërtimit të një grupi të fortë për pareliminatoret e Europianit që do të zhvillohen në vjeshtë.

Golin e vetëm për kuqezinjtë U-19 e realizoi futbollisti me origjine nga Shkodra Marash Kumbulla në minutën e 40-të, pasi i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes, duke devijuar me kokë drejt rrjetes.

Shqipëria iu afrua edhe disa herë të tjera golit, por nuk mundi të merrte një fitore edhe më të thellë, ndërkohë që vlen të përmendet edhe paraqitja e portierit Alia, që me ndërhyrjet e tij nuk lejoi prekjen e rrjetës.

19-vjeçarët kazakë arritën ta dërgonin topin përtej vijës fatale në kohën shtesë, por anësoi sinjalizoi me të drejtë për pozicion jashtë loje. Takimi i dytë miqësor me Kazakistanin do të zhvillohet më 27 mars.