Abissnet Superiore uli ditën e enjte siparin për sezonin 2021-2022, ku nuk munguan surprizat. Tirana arriti të dominonte, duke u shpallur fitimtare, teksa Laçi dhe Partizani siguruan një biletë për në Europë. Për sa i përket dështimeve të sezonit, Dinamo dhe Skënderbeu nuk arritën të mbijetonin, duke zbritur në Kategorinë e Parë.
Me rritjen e konkurrencës në kampionatin shqiptar, është rritur ndjeshëm edhe vlera e futbollistëve, duke e bërë Superioren një “supermarket” për disa nga ligat e futbollit në Europë.Megjithatë, cilët ishin futbollistët që spikatën në këtë sezon të Superiores që sapo lamë pas?
Faqja e specializuar “Transfermarkt”, ka listuar futbollistët me vlerat më të larta në treg, teksa kjo listë kryesohet nga sulmuesi i Tiranës dhe Kombëtares së Shqipërisë, Taulant Seferi, i cili aktualisht vlen 650 mijë euro, i ndjekur nga Guindo që u shpall golashënuesi i Superiores.
Sulmuesi afrikan është vlerësuar 500 mijë euro, ndërsa podiumin e plotëson një tjetër bardheblu. Ai është Redon Xhixha me 475 mijë euro. Nëse i hedhim një sy tabelës së “Transfermarkt” mbi futbollistët më të shtrenjtë të Superiores, shikohet që Tirana është një “minierë ari”.
Në këtë listë, bën pjesë edhe sulmuesi shkodran i Teutës, Rubin Hebaj, i cili zhvilloi një gjysmë të dytë sezoni me durrsakët tepër pozitive.
Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti që në listën prej 12-futbollistëve me vlerën më të lartë në Superiore, nuk është asnjë lojtar i Vllaznisë. Vlera e tyre ka zbritur ndjeshëm dhe tashmë futbollistët më të mirë shkodran që janë Latifi dhe Krymi, vlerësohen me nga 350 mijë euro.
Kështu, skuadra e Vllaznisë ka vlerë më të vogël në treg dhe këtë e tregon më së miri fakti që në mes 12-futbollistëve më të shtrenjtë të Superiores, asnjë nuk i përket ekipit shkodran.
Ja lista me 12 futbollistët me vlerën më të lartë në Superiores sipas “Transfermarkt”. /Maringlen ZHIVANI/
1. Taulant Seferi – 650 mijë euro
2. Saliou Guindo – 500 mijë euro
3. Redon Xhixha – 475 mijë euro
4. Xhuliano Skuka – 450 mijë euro
5. Erion Hoxhallari – 450 mijë euro
6. Ennur Totre – 425 mijë euro
7. Arinaldo Rrapaj – 400 mijë euro
8. Juljan Shehu – 400 mijë euro
9. Rubin Hebaj – 400 mijë euro
10. Ardit Deliu – 400 mijë euro
11. Visar Bekaj – 400 mijë euro
12. Albion Marku – 400 mijë euro