Vllaznia do të luajë ditën e martë finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, në “Air Albania”, duke nisur nga ora 19:00. Kështu, në prag të kësaj ndeshjeje, moderatori i emisionit sportiv në “MCN”, Gerti Çarçani, ka dhënë një intervistë për “Shkodra Sport”. Ai është shprehur se shkodranët kanë në krye të ekipit një trajner profesionist si Mirel Josa, që ndoshta me leximin e lojës dhe lëvizjet e tij gjatë ndeshjes, mund të ndikojë në rezultatin në fushë, në favor të Vllaznisë.

Çarçani u shpreh se shkodranët në finale nuk luajnë ndaj një kundërshtari modest, siç ishte Skënderbeu vjet, prandaj që duhet bërë kujdes. Ai theksoi se Vllaznia është e dënuar të fitojë, në mënyrë që të shpëtojë sezonin. Për më tepër, lexoni intervistën e tij të mëposhtme për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.

“Specifika e një finaleje është standarte në të gjitha kompeticionet. Natyrisht, një Vllaznia-Laçi nuk është njësoj si Vllaznia-Skënderbeu e edicionit të kaluar, pasi përballë kemi të bëjmë me nën/kampionët e Shqipërisë, Laçin. Një skuadër e stabilizuar, pretendente që nga ky sezon për kampionat, së bashku me Vllazninë. Me një trajner që e njeh shumë mirë dhe që natyrisht mbi të gjitha, kërkon trofeun, sepse pavarësisht faktit që Laçi ka dalë në Europë, trofeu është diçka prestigjoze për palmaraesin e klubit.

Vllaznia është e dënuar të fitojë apo të mos e humbasë Kupën, në mënyrë që të shpëtojë sezonin, duke qenë se nuk arriti Europën nëpërmjet kampionatit dhe kjo jo për shkak të javës së fundit. Vllaznia ka çaluar shumë rrugës, shtuar edhe ndonjë le të themi padrejtësi e gjyqtarëve, por këto janë pjesë e lojës dhe plus-minus kanë ndodhur me gjithë skuadrat e tjera. Vllaznia ka çaluar shumë gjatë rrugës, sepse lëshimi i pikëve rrugës çoi edhe në ndërrimin e trajnerëve dhe kështu që, ky është një fakt që nuk është se ngeli për javën e fundit, që të themi se java e fundit arriti të mos e çonte Vllazninë në Europë nëpërmjet kampionatit.

Gjithsesi, Vllaznia është e dënuar të fitojë. Përballë ka Laçin. Finalja është 90-minuta. Ajo nuk gjendet në të njëjtat pozita, si në sezonin e kaluar, me një kundërshtar si Skënderbeu më modest. Gjithsesi, me një gol fitoi edhe vjet dhe është e gjitha për ta luajtur.

Çdo gjë është e barabartë. Eshtë në kuota të barabarta, 50-50. Nuk dua t’i jap as më shumë Laçit, as më shumë Vllaznisë. Eshtë një Vllaznia-Laçi në një fushë neutrale, në një impiant modern. Vllaznia ka bërë mirë në “Air Albania” me shumë skuadra dhe të them të drejtën, nuk e di nëse mund t’ia dalë Vllaznia, nuk e di nëse mund t’ia dalë Laçi. Kush do gabojë më pak në specifika të tilla ndeshjesh, atëherë do të jetë fituesi. Gjithmonë, ai që do të gabojë më pak në të tilla ndeshje. Presioni është tek Vllaznia më shumë se sa tek Laçi, sepse Vllaznia luan me mundësinë e fundit për të dalë në Europë, kurse Laçi edhe nëse e humbet Kupën, është në Europë. Eshtë nën/kampion i vendit, pavarësisht se e do Kupën si prestigj.

Mendoj që Vllaznia duhet të jetë shumë e kujdesshme te rreshtimi prapa, te reparti defensiv. Kam shumë besim te Gurishta, i cili është një shtyllë kryesore, një kolonë e fortë për mbrojtjen e Vllaznisë dhe për skuadrën në tërësi. Kam përshtypjen se, Gurishta do duhet dhe do të mbajë peshë kryesore. E ritheksoj, Guindo dhe Mazrekaj janë një rrezik i vazhdueshëm për portën shkodrane.

Kështu që, me shumë kujdes, Vllaznia duhet të shikojë në sektorin defensiv, pasi edhe armët e forta të Laçit, janë kryesisht përpara në mesfushë dhe në sulm. Nëse bëjmë një paralele, janë më të avancuar futbollistët e Laçit në aspektin kualitativ. Sulmi është më produktiv se sa sulmi i Vllaznisë, pavarësisht se tentohet herë pas here që Aralica apo edhe ndonjë futbollist tjetër, të shkojnë drejt golit, por që goli në disa ndeshje edhe mungoi. Pra, vuante Vllaznia për të shënuar. E ritheksoj, duhet të bëjnë kujdes shumë në mbrojtje.

Për mbështetjen e tifozërisë, unë besoj që nuk i ka munguar ndonjë herë tifozëria shkodrane skuadrës së Vllaznisë, sepse është një nga tifozëritë që prodhon adrenalinë dhe jehonë në vigjilje të ndeshjes, por tifozëria shkodrane unë mendoj që duhet ta lërë skuadrën jashtë presionit. Duhet ta lërë skuadrën të pafryrë psikologjikisht dhe ekipi duhet të jetë i qetë dhe jo të jetë përpara një presioni psikologjik të jashtëzakonshëm, o merrni Kupën ose me ne etj, sepse në fund të fundit një finale edhe humbet. Një finale kryesisht duhet fituar, por ndodh që edhe humbet. Me një gol humbi Feyenoord me Romën, edhe pse Roma kaloi momente delikate në pjesën e dytë nga presioni ofensiv i Feyenoord, por një gol bëri diferencën dhe Feyenoord humbi finale.

E njëjta gjë ndodhi edhe mbrëmë në finalen e Champions League, mes Liverpool dhe Real Madrid. Kjo nuk do të thotë që u humb finalja dhe çdo gjë mbetet një katastrofë, aspak. Prandaj, edhe po të them, tifozëria duhet të jetë në stadium. Duhet ta mbështesë maksimalisht skuadrën, por të mos e vendosë në presion psikologjik. Unë gjithmonë e kam thënë edhe në transmetimet e mia, që shpesh ky presion i jashtëzakonshëm që e kam vënë re në rrjetet sociale i një pjese të tifozërisë së Vllaznisë, e dëmton skuadrën dhe e ngarkon psikologjikisht. I bën dëm. Unë kështu e lexoj të paktën.

Shiko, prognozat ndonjëherë provokojnë edhe reagime shumë të çuditshme. I kam miq të dy presidentët, edhe Albanin e Vllaznisë, edhe Pashkun e Laçit. Kam shumë miq në të dyja skuadrat. Do e vendosin ata finalen. As unë, as ju. E thashë pak më lart, që shanset janë 50-50, por për të qenë realist, shoh pak më të avantazhuar lehtësisht fare Laçin, por kjo nuk do të thotë se fiton Laçi. E shoh pak më të avantazhuar. Kush do gabojë më pak, do ta fitojë këtë finale dhe them që zgjidhet brenda 90-minutave dhe nuk shkon me shtesë apo 11-metërsh.

Eshtë pak më i avantazhuar Laçi, por desha të shtoj që është një finale që do të vendoset edhe le të themi nga leximi i mirë dhe intuita profesionale e të dy trajnerëve. Josa ka njohje për sa i përket Laçit. Janë dy trajnerë profesionistë, si Josa edhe Duro. Dy trajnerë katedre dhe ndoshta edhe lëvizjet në momente të veçanta, mund të ndikojnë në fushë. Pak më të avantazhuar, e shoh Laçin, shumë pak më të avantazhuar. Megjithatë, luhet një finale. Shijojeni dhe kultura e pranimit të rezultatit, duhet të shndërrohet në institucion”,-mbylli prononcimin e tij, gazetari sportiv, Gerti Çarçani.
Maringlen ZHIVANI