Pasditen e djeshme në Agrinjo të Greqisë është luajtur ndeshja finale e Kupës së Greqisë për 17 vjeçarët dhe në finale janë përballur Olimpiakos me Paok. Ka fituar 1-0 Olimpiakos dhe në këtë mënyrë kjo skuadër në fund ka ngritur lart trofeun e vënë nga Federata përkatëse.

Por interesant është fakti se pjesë e këtij suksesi është edhe një futbollist shkodran. Bëhet fjalë për Andrea Ndoj, i cili ndonëse është i një datëlindje më të vogël (ai është i datëlindjes 2003 ndërkohë që gjithë të tjerët janë të datëlindjes 2002) megjithatë stafi teknik i Akademisë së Olimpiakos duke parë cilësitë dhe aftësitë e tij e ka marrë në ekipin U17 ku ka dhënë kontributin e tij në këtë sukses.

Edhe në kampionat Ndoj pretendon që me Olimpiakos të fitojë titullin kampion dhe ai ka luajtur në 15 ndeshje në formacion. Kemi të bëjmë me një lojtar me të dhëna shumë të mira i cili luan në qendër të mesfushës dhe dallohet për një përgatitje të lartë fizike.

Andrea Ndoj siç dihet është edhe pjestar i kombëtares U17 të Shqipërisë dhe konsiderohet një element me shumë perspektivë. Aktivizimi tek Olimpiakos i ka shërbyer për mirë dhe padyshim që vlerat e tij në të ardhmen do të rriten edhe më shumë, aq më tepër që tani po mësohet edhe me fitimin e trofeve.
© shkodrasport.com