Vllaznia e këtij sezoni vijon të ketë të njëjtat probleme, sikur sezonin e kaluar. Skuadra kuqeblu ka treguar në këto javë të dy fazave të para të sezonit të njëjtat problematika, pak a shumë sikur sezonin e kaluar. Ajo që është vënë re dhe që në disa raste e ka penalizuar Vllazninë, është edhe shterpësia e madhe në repartin e sulmit.
Njeriu që u mendua se do të merrte prej dore Vllazninë e re, Ante Aralica, ka lënë shumë për të dëshiruar në këtë periudhë. Sulmuesi kroat në 17 ndeshje këtë edicion në Abissnet Superiore ka shënuar vetëm 5 gola. Faktikisht, shumë pak për një sulmues deri më tani.
Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe Fahrudin Gjurgjeviç, nuk ka pasur ato paraqitjet e ndeshjeve të kupave të Europës, teksa në 15 ndeshje, ka shënuar vetëm një gol, atë ndaj Dinamos në fitoren 6-3.
Fahrudin Gjurgjeviç dhe Ante Aralica duken larg formës së tyre më të mirë, pasi në ndeshjet e fundit nuk kanë arritur të kenë rendiment për sa u përket golave të shënuar. Ky aspekt tregon qartë se me këtë ecuri, skuadra shkodrane nuk po shfaqet si pretendente kryesore.
Të dielën, Vllaznia luan ndeshjen e rradhës ndaj Laçit, teksa mbetet për t’u parë se cili do të preferohet në këtë ndeshje nga minuta e parë prej trajnerit Thomas Brdariç.
Maringlen ZHIVANI