Nice ka vendosur të rikthejë Luçien Favre në stol, me trajnerin zviceran që rikthehet të punojë sërish në “Allianz Riviera”, teksa drejtoi skuadrën franceze më parë edhe në vitet 2016-2018.

Kjo lëvizje erdhi nga largimi i Christophe Galtier drejt PSG, me kampionët e Francës, që paguan 10-milionë euro te Nice për të siguruar shërbimet e trajnerit 55-vjeçar, i cili do të zëvendësojë Pochettinon në stol.

Ndërkohë, pjesë e stafit teknik të Favre, do të jetë edhe Arjan Peço. Ish-mesfushori tiranas veshi 13-herë fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, teksa në kampionatin tonë ka luajtur me Dinamon dhe Partizanin.

47-vjeçari nga Tirana ka punuar si trajner i ekipeve të moshave të Baselit, pikërisht me U-14, U-17, U-18 dhe U-21. Peço do të jetë një nga dy ndihmësit e Favre, bashkë me Christophe Moulin.

Një hap i rëndësishëm për trajnerin shqiptar, i cili do të provojë një aventurë të bukur te katër herë kampionët e Francës, si pjesë e stafit të ngushtë dhe ndihmës-trajner i të mirënjohurit, Luçien Favre.

Poashtu, Arjan Peço është shumë aktiv me intervista dhe reagime në Shqipëri, pasi prej shumë kohësh ka marrë shumë shpesh pjesë si i ftuar në “Proçesi Sportiv”.
Maringlen ZHIVANI