Dinamo po merr formë, edhe pse klubi zyrtarisht ka prezantuar vetëm sulmuesin e krahut, Patrik Bardhi.
“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se qendërmbrojtësi i kombëtares së Malit të Zi, Aleksandar Sofranak, ka arritur marrëveshjen me klubin dinamovit dhe pritet të prezantohet në ditët në vijim.
Bëhet fjalë për një lojtar të afirmuar dhe me shumë eksperiencë, pasi përveç OFK Titogradit dhe Sutjeskës së Nikshiqit në Malin e Zi, ka luajtur edhe në kampionate si ai serb, kroat, belg dhe boshnjak.
Me kombëtaren numëron 11 ndeshje deri më tani, ndërsa për herë të fundit me fanellën e kombit të tij ka qenë 90 minuta në fushë në ndeshjen e 14 nëntorit 2020, Azerbajxhan-Mal i Zi 0-0.
Sofranak mbylli sezonin te Sutjeska, duke qenë një titullar i padiskutueshëm, ndërsa pak ditë më parë prishi edhe kontratën me klubin. Agjenti i lojtarit 30-vjeçar dhe drejtuesit e Dinamos arritën akordin për një kontratë 2-vjeçare.
Afrimi i tij do të përforcojë shumë mbrojtjen blu, për vetë eksperiencën që ka edhe në klube si Rijeka në Kroaci, Cercle Bryzh në Belgjikë apo Sarajevo.