Fenerbaçe e ka marrë dhe zyrtarizuar vendimin e pashmangshëm për të shkarkuar trajnerin Ersun Yanal. Gjendja në kampionat dhe largimi nga vendi i parë mes shumë zhgënjimesh, atje ku nuk është përtypur dot as humbja e fundit në derbin me Galatasarain dhe hapi i gabuar ndaj Antaliasporit, solli këtë vendim të fundit.

Yanal duhej të largohet nga pankina, megjithëse në javët e para dukej se gjithçka po shkonte në perfeksion. Fenerbaçe duke fituar ndeshje radhazi dhe Muriqi që nuk ndalej me gola. Sulmuesi shqiptar e gjeti realizimin e fundit ndaj Antaliasporit, ndërsa kishte 7 ndeshje radhazi pa realizuar.

Largimi nga objektivat e klubit detyruan në mbërritjen e këtij vendimi. Ndërkohë duhet të theksohet se Yanal disa muaj më parë kishte pranuar se ishte me origjinë shqiptare, pavarësisht se në emrin dhe mbiemrin e tij nuk ka asnjë gjurmë të tillë.

“Pas shumë kohësh më keni kujtuar të parët tanë, u bëtë shkak që të shihja se çfarë kanë bërë ata. Kam lindur në Izmir, jam fëmija i tretë i një familje emigruese. Me origjinë jam nga Kosova. Një arsye kryesore që e dua futbollin janë dy vëllezërit, Ajhan dhe Ajfer Elmatasoglu. Kushurinjtë e nënës sime nga Kosova, të cilët kanë luajtur edhe me Turqinë.

Kur përmenden karakteret shqiptare, dihet lehtë se çfarë vjen ndërmend. Jemi pak inatçorë, ambiciozë dhe kundërvihemi. Jemi tipa inatçorë që nuk dorëzohemi dhe i shkojmë gjërave deri në fund. Udhëtova njëherë në Kosovë sapo kishim dalë nga lufta dhe u ndieva vërtet keq.

Kur pashë shtëpitë e shkretuara dhe të djegura, mendova: “Ky është trupi i Europës”. Kur pashë ato pamje u tensionova shumë, ndoshta ende del tym nga ajo kohë. Vajza ime është gjysmë shqiptare nga mua dhe jo nga nëna”, do të shprehej Yanal. /Sport Ekspres/