Skuadra e Elbasanit nuk di të ndalet. Kështu, pasi kanë afruar shumë emra të njohur në organikën e tyre, një tjetër sulmues i Tërbunit pritet të ndjekë rrugën e ish-shokut të tij të ekipit, Albi Xhebrahimi për t’u bashkuar me verdheblutë.
Fjala është për sulmuesin kavajas që mbylli sezonin me pukjanët, Jeton Krasniqi, i cili është shumë pranë Elbasanit. Tashmë, pritet vetëm zyrtarizimi i klubit verdheblu për firmën e ish-sulmuesit të Tërbunit.
Me pukjanët, Krasniqi u aktivizua në 13-ndeshje, ku shënoi edhe një gol ndaj Tomorit të Beratit. Realisht, ky është një largim me mjaft peshë për Tërbunin, pasi bëhet fjalë për një futbollist kyç në repartin e sulmit tek ky ekip.
Më herët, Krasniqi ka luajtur me Apoloninë e Fierit dhe sezonin e fundit ka qenë pjesë e Tërbunit. Në këtë mënyrë, skuadra e drejtuar nga Nevil Dede ka filluar të marrë formë, teksa përforcimet do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme.
Maringlen ZHIVANI