Kur kanë mbyllur një sezon me rënien nga Kategoria, te Tërbuni tashmë janë përqendruar te pushimet. E ardhmja ka një “mal” me pikëpyetje, por futbollistët nuk duan që të stresohen kaq shpejt.

Një pjesë e mirë e organikës është pa kontratë dhe do të ulen nga korriku me drejtuesit për të folur për rinovimin. I tillë është edhe rasti i mesfushorit të vetëm pukjan tek Tërbuni, Anderson Filipi.

Mesfushori bëri një kampionat pozitiv dhe përveç assisteve, nuk mund të mos harrohen edhe dribilimet dhe teknika e tij e shfaqur ndaj kundërshtarëve. Ai e sheh veten ende pjesë të ekipit, edhe pse për “Shkodra Sport” burime pranë tij konfirmojnë se ka marrë oferta nga skuadra të ndryshme të Kategorisë së Parë.

Mesfushori pas dy sezoneve me pukjanët ka një opsion rinovimi me Tërbunin edhe për një vit tjetër. Gjithsesi, Filipi po shqyrton edhe tre oferta të ardhura në drejtim të tij nga Kategoria e Parë.

Kështu, nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, Filipi ka patur bisedime me klube të ndryshme si Besa e Kavajës, Burreli dhe Lushnja. Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë dhe zbuluar në ditët në vijim, me merkaton që ka shumë zhvillime. Këtë sezon me Tërbunin, Anderson Filipi u aktivizua në 18-ndeshje, por pa ia arritur dot të shënojë qoftë edhe një gol.
Maringlen ZHIVANI