Para pak ditësh u zyrtarizua si trajneri i ri i Vllaznisë për sezonin 2023-24, aventurë që do vijojë që me ndeshjet e Conference League në muajin korrik. Fjala është për Migen Memellin, ish-sulmuesin e njohur që tashmë ka marrë drejtimin e 9 herë kampionëve të vendit dhe pritet më shumë kuriozitet nga të gjithë.
Kjo nga dyshimi që sillet për të si trajner e po ashtu nga presioni që ushtron një ambient si ai shkodran. Ku gjithmonë kërkohet maksimumi, e imponuar kjo edhe nga vetë historia që ka klubi kuqeblu. Por karriera e Memellit si një futbollist dhe statistikat e tij tregojnë për një karrierë të suksesshme.
Me disa ekipe të aktivizuara në karrieërën e tij në futbollin tonë si: Skënderbeu, Elbasani, Laçi, Tirana ku arritit kulmin apo edhe Flamurtari, ai ka arritur të shënojë 115 gola në nivelin më të lartë të futbollit në Shqipëri. Duke qenë kështu golashënuesi i 11-të më i mirë në historinë e Superligës së Shqipërisë.
Po ashtu eksperiencat si futbollist në vende si Suedia apo Norvegjia kanë qenë shumë të vlefshme për 43-vjeçarin. E ndërsa në karrierën e trajnerit është akoma i ri, ku ka drejtuar skuadra si Laçi dhe Skënderbeu, tashmë vjen rradha e një prove më të madhe siç është Vllaznia.
Puna me ekipin do nisë që sot dhe shpresat për të bërë mirë nga të dy krahët janë të mëdha në një sezon që pritet plot mister për Vllazninë.
Endri ÇINARI