Monday, March 2, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENjësoj si në fazën e parë, Vllaznia ‘kopjoi’ veten në ‘klasike’

Njësoj si në fazën e parë, Vllaznia ‘kopjoi’ veten në ‘klasike’

Shkruar nga Endri ÇINARI

Skuadra e Vllaznisë duket se përjetoi një “déjà vu” të vërtetë në përballjen e fundit ndaj KF Tirana, në një tjetër kapitull dramatik të “klasikes” së futbollit shqiptar. Kuqeblutë triumfuan 3-1 në “Loro Boriçi”, por ashtu si edhe herë të tjera këtë sezon, gjithçka erdhi me përmbysje, në një skenar që ngjante si fotokopje e asaj që ishte parë më parë.

Ishin bardheblutë që goditën të parët, me Xhixhën që kaloi Tiranën në avantazh, duke heshtur përkohësisht shkallët e stadiumit. Megjithatë, reagimi i Vllaznisë ishte i menjëhershëm dhe plot autoritet. Bismark riktheu baraspeshën, ndërsa një autogol i Kortez përmbysi gjithçka në favor të vendasve. Në fund, Balaj vulosi fitoren nga pika e bardhë, duke shndërruar në gol penalltinë që mbylli llogaritë e sfidës.

Por ajo që e bën edhe më intriguese këtë triumf është fakti se historia u përsërit pothuajse identikisht me përballjen e fazës së parë, po në Shkodër. Edhe atëherë ishte Tirana që kalonte e para në avantazh me Tabekou, duke krijuar idenë e një mbrëmjeje të vështirë për kuqeblutë. Sërish, përgjigjja e Vllaznisë do të ishte e fortë dhe vendimtare.

Në atë duel, Jago riktheu barazpeshën, ndërsa Balaj la sërish gjurmë në derbi duke shënuar një tjetër gol me peshë. Goli i tretë i kuqebluve do të vinte nga penalltia e shndërruar në gol nga Kastrati, duke kompletuar përmbysjen dhe duke ndezur festën në “Loro Boriçi”. Një skenar që të premten u duk si një përsëritje perfekte e asaj nate.

Kjo “déjà vu” tregon qartë se Vllaznia duket se “ia ka marrë dorën” Tiranës në vitet e fundit sa i përket dueleve në klasike, veçanërisht kur luhet në Shkodër. Kuqeblutë jo vetëm që dinë të reagojnë nën presion, por kanë krijuar edhe një epërsi psikologjike ndaj rivalëve historikë, duke e kthyer përmbysjen në një armë të zakonshme në sfidat më të zjarrta të kampionatit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments