Java e gjashte tashme eshte “arkivuar” dhe po i le vendin asaj te shtates, ndeshjet e te ciles do te luhen neser, por nderkohe “Panorama Sport” ashtu si edhe javet e tjera, ka vendosur notat per secilin ekip, ku me te larten e meriton Vllaznia e cila konsiderohet “nxenesja shembullore” sepse ne fakt deri me tani po i ben ashtu si duhet detyrat.

VLLAZNIA 7.5 – Shkodranët pas humbjes me Kukësin arritën që të marrin sërish komandën e Superiores. Pa trajnerin Brdariç me probleme shëndetësore, me në krye Elvis Plorin shkodranët u treguan cinikë, duke u mjaftuar me golin e Imamit. Vllaznia shpërdoroi shumë në këtë takim, por rëndësi ka që morën trepikëshin.

KUKËSI 7 – Pritej goleadë, por Kukësi ka marrë një fitore të vështirë ndaj Apolonisë, madje një dorë ia dha edhe gjyqtari me gabimet në favor. Ekipi u drejtua këtë javë nga Skënder Gega, që e ka lënë pas sëmundjen. Rëndësi ka trepikëshi, që është i treti radhazi, por me lojën që bënë ndaj fierakëve, Kukësi shpalosi problemet e tij.

KASTRIOTI 6.5 – Krutanët e trajnerit Ramazan Ndreu vazhdojnë të mos e njohin humbjen. Kastrioti barazoi në Durrës, por me pak fakt edhe mund të kishin fituar, por u ndëshkuan nga një moment hutimi pasi kaluan në avantazh. Ecuri prej pretendenti, jo si ekip debutues në Superiore.

SKËNDERBEU 6.5 – Korçarët janë të pafat në këtë javë të gjashtë, pasi fitorja u ka rrëshqitur nga duart në minutën e dytë shtesë. Mungesa e eksperiencës, por edhe gabimi i Mensah, që humb rastin për të dyfishuar në fund, ndikuan te barazimi 1-1 me Laçin.

LAÇI 6 – Fitorja e thellë me Apoloninë mbeti një iluzion optik për kurbinasit, pasi nuk arritën që të krijojnë vazhdimësi në Korçë. Gjithsesi, pozitiv është fakti se ekipi nuk u dorëzua dhe besoi deri në vërshëllimën përfundimtare për të marrë të paktën një pikë.

TIRANA 5.5 – Bardheblutë, nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede, mbeten akoma në kërkim të fitores së parë. Tirana pati më shumë dëshirë në derbi për të shkuar te fitorja, por i mungoi kurajoja dhe guximi për të bërë lëvizjen e madhe. Gjithsesi, barazimi ka vlerë në derbi, aq më shumë kur edhe ndeshja ishte nisur më shumë për të mos u humbur.

PARTIZANI 5.5 – Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja kishte nisur të bindte në javët e fundit, si me lojë dhe rezultat, por në derbi të kuqtë u dukën skematikë. Partizani iu përshtat lojës së “shahut”, ku si rivalët mbeten në pritje të shfrytëzimit të gabimeve. Përveç direktivave të Dajës, të kuqtë u ndrydhën edhe nga gjendja e fushës.

TEUTA 5.5 – Fitorja quhej detyrim për durrsakët ndaj Kastriotit, por sërish Teuta e trajnerit Martini nuk ia doli. Madje mund të konsiderohen me fat që morën edhe një pikë, për rrjedhën që mori takimi në fund. Teuta i ka të gjitha, por mungesa e golit e ka futur ekipin në një ngërç.

APOLONIA 5 – Ndryshimi në pankinë i dha shkëndijat për mirë te fierakët, por në humbjen ndaj Kukësit ndikuan edhe dy gabime të arbitrave. Trajneri Çoçlli me pak ditë i kishte dhënë besim ekipit, por brishtësia vijon, pasi ekipi nuk pati fuqi të kërkonte as të drejtën e tij te aksioni i golit të Kukësit.

BYLISI 4 – Ballshiotët nuk ia dolën as në Shkodër. Sulmi nuk funksionon dhe shpërdoron edhe kur i jepen rastet. Qardaku humbi një mundësi për barazim, ndërsa Qirko u bë barrierë që humbja të mos ishte me goleadë.