Kategoria e Dytë e futbollit në vendin tonë ka ngritur siparin ditën e sotme. Një nga ekipet që ka zhvilluar ndeshje sot ka qenë edhe Veleçiku, tashmë i drejtuar nga trajneri Haris Lika. Koplikasit kanë arritur një fitore me shumë vlera kundër Klosit në shifrat 3-1 dhe për Shkodra Sport, trajneri Lika ka dhënë një intervistë duke folur për ndeshjen sot, por edhe objektivat e skuadrës këtë sezon.

– Debutim me fitore për ju në stolin e Veleçikut. Një emocion i veçantë?

Po, realisht një ndjenjë dhe emocion i veçantë. Kjo sepse drejtoja për herë të parë një ekip të rriturish, ku përgjegjësia është më e madhe. Dhe jam i lumtur që e nisa me fitore.


– Nga rezultati duket se e dominuat kundërshtarin. Po kush ishin elementët që spikatën më shumë ku duhet theksuar se Arsen Hajdari realizoi një dopietë.

Në fakt kishim një fillim loje jo shumë pozitive. Kjo vjen si rezultat i ngarkesave të mëdha që kemi marrë këtë periudhë dhe afatit të shkurtër kohor për tu përgatitur për fillimin e sezonit. Por pjesa e dytë ishte një tablo tjetër.

Ekipi shënoi dhe u duk i çliruar nga emocionet, por edhe shpërdoruam shumë raste. Hajdari është vlerë e shtuar e skuadrës sonë dhe lojtar si ai shtojnë kualitetin, por lideri në ekip është vetëm grupi. Kemi formuar një grup të fortë ku nuk duhen harruar as emra si: Qoku, Banushi, Balaj, Rrustemaj, Ujka, Bajri e të tjerë.

– Ndeshja e rradhës ju gjen të impenjuar në kupë. Objektivi do jetë?

Do kemi ndeshje në mesjavë kundër Skënderbeut. Do mundohemi ti lëmë hapësirë të rinjve që kemi në ekip, pasi kupa nuk është objektiv i yni. Të dielën kemi rivalin direkt në kampionat, Elbasanin. Dhe vëmendja jonë do jetë aty ku do kërkohet fitorja.


– Veleçiku një skuadër e formuar për tu ngjitur në Kategorinë e Parë?

Në aq pak kohë sa kishim në dispozicion jemi munduar të ndërtojmë një ekip sa më solid. Kemi shtuar disa elementë cilësor këtë sezon si Hajdari apo Dibra, plus edhe djemtë me prespektivë. Besoj dhe shpresoj që do jemi një ndër pretendentët për tu ngjitur. Gjithsesi me punë dhe mund do përpiqemi të krijojmë vazhdimësi.

– Dhe në fund, kë shihni si rivalin tuaj kryesor në këtë kampionat?

Besoj se do jetë Elbasani, por ndoshta edhe ndonjë ekip tjetër që mund të dalë surprizë. Por ky kampionat besoj se do ketë një rivalitet gjatë gjithë sezonit.
Intervistoi: Endri ÇINARI