Në prag të ndeshjes së kthimit të sfidës ndaj Shiroki Brijeg në turin e parë të Ligës së Konferencës, e cila do të zhvillohet nesër në orën 21:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, për mediat është shfaqur zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Elvis Plori në mungesë të trajnerit Thomas Brdariç i cili doli me karton të kuq në sfidën e parë e cila përfundoi me humbjen 3-1 për shkodranët:

Ndeshja e kthimit – “Është e vështirë të përmbysim rezultatin. Moralisht skuadra është e mirë. Nuk ishte rezultati i merituar atje. Nuk dua të kthehem te arbitrat që janë diskutuar. Shoh optimizëm për të kthyer rezultatin dhe kjo më mbush me shpresë. Duhen shumë gjëra për të fituar.

Duhet të jemi kërkues dhe agresiv për të shënuar shpejt, por edhe të jemi të kujdesshëm, pasi do na godiste në çdo aspekt. Do bëhej dyfish më e vështirë. Duhet të jemi të përgatitur, të jemi agresivë dhe racional.”

Tifozët – “Shkodra ka qenë armë e fortë për çdo futbollist ndër vite. Jo më kot përmenden tifozët e zjarrtë të Vllaznisë. Mezi presim t’i kemi në stadium tifozët.”

Brdariç – “Brdaric mungon, por do të komunikojmë. Kemi bashkëpunim perfekt.”

Latifi – “Shpresojmë të shënojmë shpejt. Latifi nuk do luajë nga fillimi. Të gjithë e njohin dhe ka shumë dëshirë, por nuk është ende i gatshëm. Do ketë minuta për të, por duke parë se si shkon ndeshja.”

Shiroki Brijeg – “Rivali vendoset mirë taktikisht dhe del shumë mirë përpara. Nëse e sulmon me shumë forca, duhet të shohësh edhe prapa.”

Mungesat – “Jemi munduar të bëjmë korrigjime. Krymi na prish shumë punë që mungon. Do mundohemi të përshtatim Jonuzin dhe Kalezic, që ta përballojmë mungesën e tij.”

Arbitrat – “Nuk e shikoj veten të aftë të gjykoj një arbitër pa nisur ndeshje. Arbitrat e huaj, kur kanë ardhur këtu edhe në kampionat, nuk ka pasur protesta siç ndodhi atje me ne. Uroj të mos ndodhë më”, përfundoi Plori.